Trepça, Pacolli fajëson Mustafën

Edhe kryetari i Aleancës për Kosovën e Re (AKR), Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka ndërhyrë në debatin për Trepçën. Ai e ka akuzuar qeverinë e tanishme, më saktë LDK-në, e cila në mandatin e kaluar kishte kundërshtuar miratimin e projektligjit për këtë ndërmarrje.

Lajme

19/01/2015 14:21

Sipas kreut të AKR-së, shtyrja e miratimit të projeklligjit për “Trepçën”, është zmbrapsje nga pozita e sigurt për të korrur sukses. Ai ka shtuar se pozitës së tanishme, i mungon guximi, morali, vullneti dhe vizioni ekonomik për ta zhvilluar shpejtë Kosovën.

Lexojeni të plotë reagimin e Pacollit të postuar në profilin e tij në Facebook:

“Qeveria e Kosovës bashkë me Kuvendin e Kosovës, për të dytin mandat radhazi, po synojnë të dështojnë në trasformimin më përmbajtjesor të pronës shoqërore në atë publike, ligjin e Trepçës.

Nëse transformimi i Trepçës e cila simbolizon fuqinë industriale dhe ekonominë e Kosovës, dështon me miratimin e Qeverisë së Kosovës, atëherë kjo Qeveri nuk ka aftësi të mbrojë as më të voglin interes të qytetarëve të saj.

Për këtë dështim do të mbahen përgjegjës të gjithë në Kosovë.

Opozita e mandatit të kaluar (tash ne Kryeministri dhe partner në Qeveri) bashkë me partnerët tjerë opozitarë të asaj kohe dhe disa deputetë të pozitës, refuzuan kategorikisht asokohe, këtë plan me pretendimet se dikush mund të ketë interes personal nga ky transformim.

Jemi sot para rezultatit ku pozitës i mungon guximi, morali, vullneti dhe vizioni ekonomik për të zhvilluar shpejt Kosovën.

Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm se zmbrapsja nga pozita e sigurt për të shënuar sukses. Kjo tregon se Qeverisë së Kosovës i mungon morali për të kontribuar për qytetarin e saj dhe definitivisht dituria se si duhet të fillohet me zhvillimin.

Në përfundim, argumenti i partnerit tonë në Qeveri ishte se si AKR donë të bëjë ndryshimin me 7% të forcës politike. Athua dështimi garantohet me shumicën prej 70% në Kuvend?

Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, përkundrejt presioneve që mund t’i kenë, mos të heqin dorë nga kalimi i projektligjit.

Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe Kushtetuta e Kosovës ju obligon Ju deputet pa marrë parasysh vullnetin e ekzekutivit të kaloni këtë projektligj dhe të mbroni pasurinë e Kosovës për një perspektivë të ndritur për të gjithë banorët e saj.”, ka shkruar Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re.