Trepça, “nënshtrohet” kryeministri
Qeveria e Kosovës, ka ndryshuar hapat për mbrojtjen e Trepçës nga falimentimi dhe rikthimin e saj nën menaxhim të shtetit, nga ashtu siç e kishte menduar dhe vendosur më parë. Votimi në Kuvend i ligjit për Trepçën, me ndryshimet e propozuara sot në qeveri, është shtyrë për nesër, ka bërë të ditur kryeministri Isa Mustafa, në një fjalim të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Lajme
Mustafa ka thënë se janë duke u ballafaquar me problemin e gjetjes së një zgjidhje për shpëtimin e Trepçës, por sipas tij, kthimi nën menaxhim nga shteti nuk është i lehtë, pasi ajo ka detyrime ndaj kreditorëve, të cilat mund të jenë deri në 1.4 miliardë euro.
“Projektligji për ndërmarrjet publike është duke u përgatitur për një kohë të gjatë. Ne jemi ballafaquar për të ardhmen e Trepçës, dhe objektivi ynë është që të krijojmë kushte për riorganizimin e Trepces dhe ajo të punoj pa probleme në të ardhmen. Kemi ndërmarrë masat që të parandalojmë falimentimin e Trepcës sepse ajo nuk është në të mirë të punëtoreve të saj e as të vendit. Pastaj duhet te shikojmë se si të veprojmë me detyrimet kreditore qe ka ajo, e që vlerësohet se janë deri në 1.4 miliardë euro”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ai ka kërkuar nga deputetët që kjo çështje të shtyhet për ditën e nesërme, për t’i dhënë kohë qeverisë që ta shqyrtojë më mirë atë.
“Propozojmë që sot kjo pikë e rendit të ditës mos të shqyrtohet kjo, që neve si qeveri të na jepet mundësia të shqyrtojmë edhe me tutje ketë çështje. Ligjin për Trepçën do t’ua sjellim nesër, që për ligjin për ndërmarrjet publike, Trepça të organizohet me një ligj të veçantë”.
Kuvendi do të mblidhet sërish në një seancë të jashtëzakonshme sot në orën 14 për të diskutuar për Ligjin për Ndërmarjet e Veçanta, i cili është miratuar sot nga qeveria. (lajmi.net)