Trepça, gjithnjë me njerka

Autori i librit “Trepça”, Minir Dushi, në historikun e shkurtër për këtë ndërmarrje ka treguar se si minierat e saj asnjëherë nuk janë shfrytëzuar nga shqiptarët. I kanë shfrytëzuar romakët, gjermanët, serbët, anglezët dhe përsëri serbët.

Lajme

25/01/2015 08:30

Libri ishte botuar në vitin 2002 dhe rrëfimi për “Trepçën” mbetet po i njëjti edhe tash 13 vjet më vonë. Që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë përparim, pasi institucionet e Kosovës kanë dështuar që këtë gjigant metalurgjik ta marrin nën menaxhim, shkruan Koha Ditore .

“Trepça” ka mbetur e pazhvilluar dhe me status të paqartë. Qeveria e Kuvendi nuk kishin ndërmarrë asgjë, në përjashtim të debateve në Kuvend dhe hartimit të rezolutave. Kjo e kishte detyruar Agjencinë Kosovare të Privatizimit të kërkonte në vazhdimësi shtyrjen e afateve.

Por nuk ishte arsyeja e vetme, pasi edhe AKP-ja nuk i kishte kryer detyrat dhe obligimet që dilnin nga Ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta dhe aseteve të tyre.

Pas mosveprimit të AKP-së, Kuvendi i Republikës së Kosovës e kishte mbajtur një seancë të veçantë për “Trepçën”. Patën folur të gjithë deputetët një nga një, në një seancë maratonike. Ishte një ndër seancat e pakta kur kalon rezoluta e opozitës.

Kjo rezolutë e vitit 2013 e obligonte Qeverinë të hartonte një ligj të veçantë për “Trepçën”. Përgatitja e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për ndërmarrjet publike kishte nisur në vjeshtën e vitit 2013 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. (Koha Dirore)