Trepça është e jona

Ministri i Minierave në Qeverinë Serbe, Milan Bacevic, deklaroi se Serbia ka gati një marrëveshje me një kompani amerikane për investime në Trepçë. Por, zyrtarë të AKP’së thonë se çdo marrëveshje që nuk aprovohet nga ky institucion, konsiderohet e pavlefshme.

Lajme

15/11/2013 11:35

Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë ndaj kombinatit “Trepça”.

Ndonëse Ministri i Minierave në Qeverinë Serbe, Milan Bacevic, deklaroi se Serbia e ka gati një marrëveshje me kompaninë amerikane “New Generation Power” për investime në Trepçë, zyrtarë të AKP’së kanë thënë për lajmi.net se çdo marrëveshje që nuk aprovohet nga ky institucion do të jetë e pavlefshme.

“Për AKP’në, si administratore e vetme e ndërmarrjes shoqërore Trepça, çdo marrëveshje që nuk aprovohet prej saj është e pavlefshme”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi.

Ylli Kaloshi, Zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Sipas Kaloshit, Agjencia Kosovare e Privatizimit, nё cilësinë e Administratorit, nuk ёshtё informuar pёr rastin nё fjalё, kurse nga AKP nuk ёshtё kërkuar aprovim apo informatë paraprake pёr njё marrëveshje tё tillë.

“Andaj, marrëveshja eventuale e lartpërmendur, nga AKP konsiderohet se është në kundërshtim me dispozitat ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Si e tillë, cenon autoritetin administrativ të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është e pavlefshme dhe e pazbatueshme në praktikë”.

“Sipas Ligjit, Trepça administrohet nga AKP-ja dhe kjo ndërmarrje ka dy menaxhmente – atë në Jug dhe në Veri – dhe operon si tërësi nën administrimin e AKP-së”.

“Nё bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (Ligji nr. 04/L-034), Agjencia ёshtё e autorizuar për administrimin e të gjitha ndërmarrjeve shoqërore nё Kosovё, duke përfshirë autorizimet për shitjen, transferimin si  dhe likuidimin e këtyre ndërmarrjeve dhe aseteve të tyre”, ka thënë zëdhënësi Kaloshi për lajmi.net.

Ligji për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë se Tyre  thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit ёshtё administrator i vetëm i ndërmarrjes shoqërore Trepça nёn mbikëqyrjen e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme tё Kosovës.