Trepça dhe Jabllanoviqi i “heshtin” përkohësisht protestat kundër KEDS-it

Klubi Politik i Studentëve ka njoftuar se do të pezullojë protestat kundër KEDS-it, shkaku i situatës së re të krijuar pas deklaratave të ministrit Jabllanoviq dhe mosmiratimit të Ligjit për Trepçën. 

Lajme

21/01/2015 18:00

Nëpërmjet një komunikate për media, Klubi Politik i Studentëve sqaron se pezullimi e protestave kundër KEDS-it e bën duke marrë parasysh situatën politike të krijuar pas deklaratave të ministrit Aleksandër Jabllanoviq dhe duke bashkëndjerë me “Thirrjet e Nënave”.

“Edhe pse rritja e çmimit të energjisë është një problem madhor që drejtpërdrejt prek buxhetin e qytetarëve të Kosovës, prapë se prapë ofendimi ndaj të zhdukurve të luftës dhe historisë sonë, me tërë ndjeshmërinë e vet, si dhe shpërfaqja e intervencionizmit të Beogradit në Kosovë, na ka shtyrë që të vendosim që vetëm përkohësisht të ndalim protestat tona dhe t’i bashkëngjitemi protestave qytetare që kërkojnë shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe kthimin e “Trepçës” në pronësi të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.