Trendi i votës

Në fillim hegjemonia e LDK’së. Pastaj ngritja e PDK’së. Rritja e AAK’së në ndërkohë dhe pamundësia e depërtimit të partive tjera në spektrin politik nëpër komunat e Kosovës. Ky është trendi i votës së kosovarëve në katër palë zgjedhjet e deritanishme lokale.

Lajme

03/10/2013 06:22

Përderisa subjektet politike dhe qytetarët kanë përpara një muaj të bereqetshëm premtimesh në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, historia 13 vjeçare e zgjedhjeve tregon se partitë kanë ditur të krijojnë dhe të humbin bastione nga zgjedhjet në zgjedhje.

Këto janë zgjedhjet e pesta lokale që mbahen në Kosovë. Ndërsa të tretat në të cilët votuesit zgjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryetarin e Komunës së tyre, sepse në zgjedhjet e viteve 2000 dhe 2002, ata zgjedheshin nga asambletë komunale.

Në dy palë zgjedhjet e para lokale LDK ushtroi hegjemoni ndaj partive tjera duke marrë nën kontroll shumicën e komunave dhe shumicën dërmuese në përllogaritjen kombëtare të votës.

Por, përmbysja e madhe ndodhi  në vitin 2007.

Ashtu si shkonte trendi i votimit nga zgjedhjet në zgjedhje, një përmbysje e radhitjes së partive nuk mund të pritej të ndodhte shpejt.

LDK po zvogëlohej pak e nga pak, por PDK asesi të shënonte rritje të ndjeshme.

Por, në fillim të vitit 2006, LDK kishte mbetur pa liderin e vet historik Ibrahim Rugova dhe më vonë atë vit ishte ndarë në dy pjesë, pas Kuvendit ku delegatët përdoren edhe karriget si mjet për t’i qëruar hesapet mes vete.

Për fatin e keq të saj, brenda një dite ishin mbajtur tri palë zgjedhje (parlamentare, për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë komunalë). Në të tri zgjedhjet, rënia e LDK’së ishte e ndjeshme në krahasim me ato parapraket.

Shifrat e thonë këtë më së miri. Në zgjedhjet e vitit 2000, LDK mori hiç më pak se 398.872 vota, ndërsa dy vjet më vonë pati një rënie të theksuar duke marrë 320.918 vota.

Në vitin 2007, atëherë kur humbi shumicën e komunave të cilat i kontrollonte për shtatë vjet me radhë, LDK ra në 128.901 vota në zgjedhjet për këshilltarë komunalë dhe 146.211 në votimet për kryetarë të komunave, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009 e rriti numrin e votave për më shumë se 20 për qind duke marrë 151.771 vota në zgjedhjet për këshilltarë komunalë dhe 151.771 në ato për kryetarë të komunave, sado që ia hoqi PDK’së nga dora vetëm një komunë (Kamenicën).

Sa i përket PDK’së, ajo ka vuajtur mjaft për ta arritur 30 përqindëshin e votave në rang vendi. Por, shprehur në shifra, në zgjedhjet e para lokale të vitit 2000, PDK mori 187.821 vota, ndërsa në zgjedhjet e dy vjetëve më vonë elektorati i saj u rrit në 207.012 vota.

Ndërsa në vitin 2007, PDK mori kontrollin në shumicën e komunave, numri i votave në krahasim me zgjedhjet lokale 2002 nuk është se ishte rritur. Përkundrazi, ky numër qe zvogëluar në 189.012 vota në zgjedhjet për këshilltarët komunalë, ndërsa në votimet për kryetarë të komunave rreth 45 mijë vota më shumë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, elektorati i PDK’së u rrit në 200.148 vota në zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 235.315 vota në zgjedhjet për kryetarë të komunave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e filloi epokën zgjedhore të Kosovës në zgjedhjet lokale të vitit 2000 me 53.074 vota dhe pa asnjë komunë nën kontroll. Dy vjet më vonë, ajo rriti numrin e votuesve në 61.824 dhe mori pushtetin në Komunën e Deçanit. Pesë vjet më vonë (2007), AAK ruajti Deçanin ndërkohë që shtriu gjeografinë e saj të pushtetit edhe në Pejë e Gjakovë. Këtë vit, në zgjedhjet për këshilltarë komunalë kjo parti mori 56.676 vota, ndërsa në ato për kryetarë të komunave 60.450 vota. Dy vjet më vonë, ngjyrat e AAK’së i përqafoi edhe komunat e Rahovecit dhe Suharekës, ndërsa në zgjedhjet për këshilltarë komunalë ajo mori 95.066 vota, kurse në ato për kryetarë të komunave rriti ndjeshëm ndikimin e saj me 121.023 vota.

Në nëntë komuna të Kosovës, qoftë PDK qoftë LDK kanë qenë të pamposhtura deri më tani në katër palë zgjedhjet komunale të pasluftës. PDK i ka mbajtur komunat e Skënderajt, Drenasit, Shtimes dhe Kaçanikut, ndërsa LDK i ka ruajtur komunat e Prishtinës, Podujevës, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Istogut.