“Tregtia me organe” qartësohet në 2014

Drejtori i Zyrës për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, paralajmëron se vitin e ardhshëm do të qartësohet çështja rreth dyshimeve për trafikim me organe të njerëzve.

Lajme

26/11/2013 08:55

Drejtori i Zyrës për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ka thënë dje në Washington se hetimet rreth dyshimeve për tregti me organe në Kosovë do të vazhdojnë edhe në vitin 2014, kur do të qartësohen gjërat rreth kësaj çështjeje.

Sipas Moore, SHBA’të vazhdojnë që t’i japin mbështetje të plotë Ambasadorit për çështje të krimeve të luftës John Clint Williamson dhe ekipit të tij që po kryen hetimet, raporton Tanjug.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit falënderoi ushtrinë serbe për bashkëpunim me ushtrinë amerikane, duke e vlerësuar atë si të shkëlqyeshëm, edhe pse Serbia ka shpallur neutralitet ushtarak.

Në një konferencë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Mur ka vlerësuar se BE paraqet “karotën” për vendet e rajonit që t’i implementojnë reformat e domosdoshme.

Shumë kritik ndaj progresit të vendeve të rajonit ka qenë Haki Abazi, Drejtor i Programit për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit Rockfeller, i cili vlerësoi se Ballkani tani është në udhëkryqin kritik kur është në pyetje vazhdimi i integrimit europian.

Sipas tij, krimi i organizuar është rreziku më i madh për Ballkanin.

“Kriminelët shqiptarë në jug të Kosovës bashkëpunojnë me kriminelët serbë në veri dhe ata së bashku duan që ta mbajnë status kuonë. Grupi i banditëve që theu kutitë e votimit se është më i fortë se Qeveria e Kosovës, Serbisë, EULEX’i dhe KFOR’i”, tha Abazi.

Ai ka qenë sidomos kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe forcave të veta në Kosovë, duke vlerësuar se BE i jep “premtime të rrejshme” Kosovës se po përparon drejt integrimit europian dhe se “EULEX nuk ka kapacitete për t’u marrë me liderët kryesorë të Kosovës”.

Abazi mendon se “bashkësia ndërkombëtare për shkak të stabilitetit nuk i prek njerëzit si (Milorad) Dodik ose (Hashim) Thaci.

Sipas tij, drejtësia e pavarur dhe sundimi i ligjit janë gurthemel për përparimin e shteteve të Ballkanit.