Treg me parking nëntokësor

Korab Sejdiu dëshiron që Tregun e Ulpianës ta bëj me kulm të ri dhe parking nëntokësor që do t’i shërbejë shitësve të tregut si depo.

Lajme

16/10/2013 14:06

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga radhët e AKR’së, Korab Sejdiu u ka premtuar sot tregtarëve dhe frekuentuesve të tregut në lagjen Ulpiana se do t’ia ofrojë këtij vendi një kulm dhe një parking nëntokësor.

Sejdiu ka bashkëbiseduar me tregtarët në Ulpianë nga të cilët ka marrë shqetësimet për kushtet e tyre në treg.

Tregtarët i kanë thënë se heqja e llastrave nga kulmi dhe zëvendësimi i tyre me një kulm më dinjitoz paraqet nevojë urgjente.

“Infrastruktura që ofrohet për shërbimet e qytetarëve, siç është tregu, është në gjendje jashtëzakonisht të keqe”.

“Me votën dhe besimin e qytetarëve ne do të investojmë në infrastrukturë që i përmirëson kushtet e shitjes dhe ofrimit të këtyre shërbimeve dhe e dyta në partneritet me ndërmarrjet publiko-private jo vetëm ta mbulojmë këtë treg por të krijojmë edhe hapësirë për parkingje me qëllim të ofrimit dhe kushteve sa më të mira për qytetarët që vijnë këtu”.

“Ka hapësirë të mjaftueshme këtu që ky treg t’i shërbej lagjeve përreth dhe, qëllimi është që me partneritet publiko-privat të mbyllet tregu dhe të mbulohet me kulm dhe njëkohësisht përfundi të ketë edhe një parking për personat që shesin këtu që të kenë hapësirë furnizuese, duke mos e bllokuar komunikacionin përqark. Dhe njëkohësisht qytetarët e interesuar për të blerë këtu të kenë mundësi parkimi. Me këtë krijohet qarkullim më i madh dhe vende të reja të punës”.

Ai ka vënë në pah edhe një mbindërtim ad-hoc dhe  jo të sigurt për qytetarët.

“Këtu mbrapa mesh është duke u ndërtuar edhe një mbindërtim, dhe për këtë nuk ka pasur asnjë studim nëse këto mbindërtime janë të sigurta për qytetarët që jetojnë në ato objekte”.

“Dhe a po bëhen ato objekte me material më të lehta që nuk e dëmtojnë strukturën e objektit”.

“Zhvillimi urban të bëhet në përputhje të plotë me planin tonë të integruar, e jo ad-hoc, e jo në përputhje vetëm me qëllimet e grupeve të interesit pa pasur fare parasysh sigurinë e qytetarëve dhe interesat e tyre”.