Tre zyrtarët e ATK-së që raportohen të jenë arrestuar pasi vazhdimisht morën ryshfet nga bizneset në Gjakovë

Policia e Kosovës, njësia për hetimin e Krimeve Ekonomike ka realizuar një aksion pas hetimeve të zhvilluara tash e sa kohë, në drejtim të luftimit të kërkimit dhe marrjes së ryshfetit. Në aksionin e realizuar së fundi rezultoi që të arrestohen tre persona të dyshimtë, për kërkim dhe marrje të ryshfetit. E të arrestuarit në…

Lajme

20/01/2025 10:35

Policia e Kosovës, njësia për hetimin e Krimeve Ekonomike ka realizuar një aksion pas hetimeve të zhvilluara tash e sa kohë, në drejtim të luftimit të kërkimit dhe marrjes së ryshfetit.

Në aksionin e realizuar së fundi rezultoi që të arrestohen tre persona të dyshimtë, për kërkim dhe marrje të ryshfetit.

E të arrestuarit në këtë rast raportohet të jenë zyrtarë të ATK-së në Gjakovë, transmeton lajmi.net.

Sipas informacioneve të deritanishme theksohet se të dyshuarit kishin kërkuar dhe pranuar vazhdimisht ryshfet nga pronarët e ndryshëm të bizneseve.

Nga Policia e kanë konfirmuar se duke zbatuar masat hetimore, janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit, me qëllim të përfitimit pasuror, kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash në disa raste të ndara, si dhe të mira materiale të ndryshme pa pagesë nga pronarët e bizneseve në Komunën e Gjakovës.

“Sot, më datë 20.01.2025, me Urdhër nga Gjykata Themelore në Gjakovë në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit janë kontrolluar tri objektet e banimit të personave të dyshuar (dy në Gjakovë dhe një në Pejë) ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.

Gjatë kontrollit janë sekuestruara dëshmitë si në vijim:

para të gatshme 11600 Euro,
katër (4) telefona mobil
një ( 1 ) IPOD
një (1) pasaportë e Republikës se Shqipërisë
një (1) letërnjoftim i Republikës se Shqipërisë ” – njoftoi Policia.
Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

E të dyshuarit në këtë rast sipas Indeksonline del të jenë tre inspektorë të ATK-së: Afrim Gjoka, Dukagjin Nika dhe Elhami Qorkadiu./Lajmi.net/