Të Infektuar: 224

Të Shëruar: 37

Të Vdekur: 6

Tre të vdekur e 152 të infektuar me koronavirusin në Itali, ambasada e Kosovës flet për kosovarët atje

20:02 | 23 Shkurt 2020

Ilustrim

Koronavirusi ka prekur edhe Italinë, ku të paktën deri më tani raportohen tre viktima, ndërkaq 152 janë të prekur nga ky virus.

Virusi vdekjeprurës “Korona”, është duke u përhapur me të madhe në gjithë botën, ku të prekur janë rreth 80 mijë persona, ndërkaq deri më tani raportohet se nga koronavirusi kanë vdekur rreth 2 mijë e 500 persona.

Italia është shteti i cili është prekur nga ky virus, ku të paktën deri më tani kanë vdekur tre persona ndërkaq 152 janë të prekur nga koronavirusi.

Virusi më së shumti është përhapur në zonën e Lombardisë dhe të Venetos, zona këto që llogaritet se ka më së shumti kosovarë.

Lexo edhe: 

Ambasada e Kosovës në Gjermani: Deri më tani, nuk ka asnjë kosovar të prekur me koronavirus

Mirëpo, ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë të ditur për lajmi.net, se pavarësisht përhapjes së këtij virusi në këtë shtet, deri më tani asnjë kosovar nuk është i prekur nga koronavirusi.

“ARKS në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano është duke e vëzhguar situatën kritike me shumë vëmendje dhe kujdes. Aktualisht, fatmirësisht duhet të themi nuk rezulton i prekur asnjë shtetas kosovar”, thuhet në përgjigjen e asmbasadës dhënë lajmi.net.

Po ashtu, ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë të ditur se është në gatishmëri të plotë dhe në koordinim me organet dhe institucionet italiane për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Gjithsesi në rast të nevojës së qytetarëve tanë në të gjithë territorin italian, me mbetemi në gatishmëri të plotë dhe në koordinim me organet dhe institucionet vendore do të veprohet sipas udhëzimeve të autoriteteve përkatëse për t’i respektuar dhe zbatuar masat që duhet ndërmarrë, sipas rastit dhe nevojës”, kanë bërë të ditur nga ambasada kosovare në Itali.

Theksojmë se sipas medieve italiane, institucionet e atjeshme kanë marrë masa parandaluese dhe janë mbyllur shkollat deri më 1 mars në Lombardi, Veneto, Emilia Romagna dhe Piemonte.

Po ashtu raportohet se koronavirusi po përhapet me shpejtësi nga Pavia në Milano, nga Kremona në Valtellina, ndërsa qeveria ka miratuar një dekret urgjent për ‘rrethimin’ e zonave. Ndërkohë në Lombardi dhe Veneto nuk mund të hyhet dot, pa u pajisur me një leje paraprake.

Po ashtu, përveç tre viktimave dhe 152 që janë të prekur nga ky virus, nën kujdes intensiv të mjekëve dhe në gjendje më të rëndë janë 25 persona të cilët kanë shfaqur komplikime të shumta. /Lajmi.net/