Tre të dyshuarit dalin para Gjykatës për rastin “Rezervat shtetërore”

Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të rastit të njohur si “Rezervat shtetërore”. Seanca gjyqësore ka nisur në ora 09:30, ndërsa të tre akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për përfshirje në keqpërdorime që lidhen me rezervat shtetërore gjatë periudhës shkurt–mars 2022. Sipas aktakuzës…

Lajme

13/01/2026 09:46

Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të rastit të njohur si “Rezervat shtetërore”.

Seanca gjyqësore ka nisur në ora 09:30, ndërsa të tre akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për përfshirje në keqpërdorime që lidhen me rezervat shtetërore gjatë periudhës shkurt–mars 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor, Lipovica dhe Gara dyshohet se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës një dëm prej mbi 2.9 milionë euro.

Prokuroria pretendon se ata kanë zbuluar fshehtësi zyrtare, konkretisht vendndodhjen e rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të Ridvan Muharremit.

Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprave penale, përmes ndërmjetësimit, negocimit dhe rekomandimit të operatorëve ekonomikë për furnizimin e rezervave shtetërore.

Të pandehurit ngarkohen me veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. /Lajmi.net/