Tre të arrestuar për vjedhje

Në Pejë janë arrestuar 3 persona për vjedhje. Policia dhe Prokuroria po bashkëpunojnë në mënyrë që të shikohet nëse ky grup është përfshirë edhe në raste të tjera.

Lajme

10/12/2013 12:19

Njësitet hetimore të Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës kanë arrestuar 3 persona, shtetas shqiptarë, me iniciale Y.H. (1984); I.I. (1983) dhe L.M. (1988), nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të vjedhjes së rëndë.

Personat e arrestuar dyshohet se më 5 dhjetor kanë hyrë me forcë në një ordinancë private në Pejë dhe kanë vjedhur gjësende me vlerë, duke përfshirë një kompjuter, një arkë fiskale, një telefon celular si dhe një kuletë.

Po të njëjtit persona dyshohen se kanë kryer edhe një vjedhje në rrugën “Mbretëresha Teutë”, në një dyqan ushqimor, ku pasi kanë hyrë me forcë, kanë marrë sasi e llojeve të ndryshme të cigareve dhe të të hollave.

Gjatë hetimeve, hetuesit policor kanë arritur që të sigurojnë prova inkirminuese, ku në cilësinë e provave janë konfiskuar një kompjuter, arka fiskale- prova këto që faktojë veprimtarinë e kundërligjshme të të dyshuarve.

Këto gjësende me vlerë i janë kthyer pronarit të saj, ndërsa Policia ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar edhe me Prokurorin e Shtetit, në mënyrë që hetohet nëse ky grup i personave mund të jetë përfshirë edhe në raste të tjera kriminale, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.