Katër persona të gjallë nën rrënoja, ndër ta edhe një 101-vjeçar

Dy meshkuj dhe dy gra janë nxjerrë nga rrënojat tetë ditë pas tërmetit katastrofal në Nepal, njoftuan autoritetet lokale.

Bota

03/05/2015 14:02

(E plotësuar) – Ekipet shpëtimtare në Nepalin e shkatërruar nga tërmeti, të shtunën kanë nxjerrë nga gërmadhat edhe një mashkull 101-vjeçar.

Agjencia e lajmeve AFP njofton se plaku 101-vjeçar është nxjerrë nga rrënojat një javë pas tërmetit katastrofal dhe pas deklaratës së autoriteteve nepaleze se nuk ka gjasa më për të mbijetuar. Ai është transportuar për në spital, ku po e merr veten. Pos tij, sot janë shpëtuar edhe tre persona të tjerë, dy gra dhe një mashkull, njoftoi policia.

“Në fshatin Kerabari kemi zbuluar dhe shpëtuar katër persona”, deklaroi për agjencinë gjermane të lajmeve DPA një polic në detyrë në rajonin Sindhupalchowk.

Tre prej tyre ishin të ngujuar nën rrënoja të një shtëpie nga balta, kurse personi i katërt ishte i ngujuar nën shtresën e dherave që i ka sjellë rrëshqitja e tyre pas tërmetit. Të gjithë janë dërguar në spitalin rajonal ku ju është ofruar ndihma.

“Njëri nga të gjeturit e shpëtuar nën rrënojat e shtëpisë së ndërtuar nga balta ka mbi 100 vjeç”, tha zyrtari policor.