Tre persona në rrezik jete nga gripi sezonal, mungon bari bazik Tamiflu

Ndonëse kanë vdekur dy pacientë nga gripi sezonal dhe derisa edhe tre të tjerë janë në rrezik jete, Qendra Klinike Universitare po përballet me mungesën e barit Tamiflu, i cili është bazik në rastet e gripit sezonal.

Lajme

27/01/2020 15:12

Mungesën e këtij bari për KosovaPress e ka konfirmuar edhe vetë infektologu i Klinikës Infektive, Valbon Krasniqi, i cili tha se këtë bari është dashur që pacientët ta sigurojnë vetë, pasi ka mungesë të tij.

Sipas tij, ky bari zakonisht përdoret në fazat e hershme të gripit, pasi në fazat e mëvonshme nuk ka treguar ndonjë efikasitet të madh.

“Në përgjithësi trajtimi i tyre është simptomatik, pra me infuzione, tretje infuzive, pastaj analgjetik, antiperetik, pra barna për të zvogëluar dhembjen, temperaturën, kollitjen  dhe për të eliminuar simptomat tjera. Ndërsa, është edhe një bar tjetër me emrin Tamiflu që pacientët e gjejnë dhe janë duke e marrë…Me përjashtim të barit Tamiflu të tjerat janë të gjitha pothuajse…Tani për tani nuk kemi pasur numër të madh të rasteve që është dashur të marrin këtë ilaç…Zakonisht ky bari duhet të përdoret sa më herët në fillim të simptomave të sëmundjes, ndërkaq në fazat e më hershme nuk është treguar ndonjë efikasitet i madh. Kemi pasur disa raste jo në numër të madh që kanë përdorur barin…Vetë e kanë siguruar e kanë blerë në barnatore”, tha infektologu.

Sipas tij, në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar tre persona gjendje e të cilëve është e rëndë.

Infektologu Krasniqi tha se deri tani në këtë klinik trajtim kanë marr 16 persona, por nuk e përjashton mundësinë që nga gripi sezonal të jenë prekur edhe persona të tjerë.

“Aktualisht në klinikën tonë të konfirmuar që janë ë prekur nga gripi sezonal kemi tri raste dhe për fat të keq që të tria janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Dy prej tyre janë në një gjendje shumë më të rëndë dhe janë të intubuar të lidhur për aparatin respirator  pasi nuk mund të marrin frymë vetvetiu, ndërsa si një rast tjetër  edhe ajo në gjendje të rëndë megjithatë ende është me oksigjen dhe me terapi tjetër. Sa i përket rasteve tjera  gjatë vikendit në klinik janë pranuar edhe 5-6 raste të dyshimta për grip, por që ende nuk e kemi konfirmimin  laboratorik dhe presim…Kemi pasur diku 15-16 raste të trajtuar që kanë qenë në gjendje më të rëndë që kanë pasur nevojë të shtrihen në klinik për të marr trajtimin e duhur, ndërkaq që numri sigurisht është më i madh i atyre që janë trajtuar në mënyrë ambulantore”, theksoi Krasniqi.

Lidhur me mungesën e barit Tamiflu, zyra për informim e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës përmes një shkrese i ka thënë KosovaPress-it, se tani ky produkt medicinal është në fazën e prokurimin, dhe në momentin e kontraktimit do i shpërndahet Klinikës Infektive.

Në këtë përgjigje thuhet se këtë bari më herët Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës e ka siguruar përmes donacioneve.

“Momentalisht produkti është në procedurë  të prokurimit. Në momentin që bari kontraktohet, klinika Infektive do të furnizohet. Në të kaluarën produktin Oseltamivir e kemi pranuar në formë të donacionit”, thuhej në këtë shkresë.

Ndërsa, ditë më parë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka njoftuar se prej 1 tetor 2019 deri më 5 janar 2020, janë raportuar gjithsej 16.588 raste të dyshimta në grip, 2931 raste infeksione respiratore akute dhe 13 raste me infeksion të rëndë respirator akut. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës dhe Prizrenit, por nuk kalon pragun epidemik. Prej 1 tetor 2019 deri më 5 janar 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 109 mostra të dyshimta në grip, prej të cilave 9 mostra kanë rezultuar pozitive në grip A dhe një pozitive në grip B.