Tre muaj pas lëndimit të tmerrshëm që pësoi, ja kur do të kthehet Andre Gomes

Carlo Ancelotti ka zbuluar se Andre Gomes është në diskutim për të startuar për Everton kundër Arsenalit të dielën, vetëm 112 ditë pasi pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë.

Sport

19/02/2020 09:08

Mesfushori portugez pësoi një frakturë në këmbën e djathtë pas një përplasje me Son Heung-min gjatë barazimit 1-1 të Evertonit me Tottenham në 3 nëntor.

26-vjeçari duhej të transportohej nga fusha me një barelë dhe të dërgohej direkt në spital, me frikën se ai do të mungonte për pjesën tjetër të sezonit, transmeton lajmi.net.

Sidoqoftë, vetëm 86 ditë më vonë Gomes u kthye në stërvitje në terrenin e trajnimit ‘USM Finch Farm’ të Toffees dhe të dielën luajti 60 minuta të një loje me dyer të mbyllura.

Trajneri Ancelotti është i kënaqur me përparimin e tij dhe mendon se ka të ngjarë të startojë në ‘Emirates’ këtë fundjavë.

“Ai bëri mirë (në ndeshjen e praktikës), ai luajti me qetësi dhe pa asnjë problem dhe është në dispozicion, për mendimin tim, të luajë”, i tha italiani faqes së Everton.

“Sigurisht, më duhet të flas me të se si ndihet pasi luan ndeshjen e tij të parë pas një kohe të gjatë jashtë”.

“Mendimi im personal është që ai është gati të luajë. Kur një lojtar ka munguar për një periudhë të gjatë, unë mendoj se është më mirë të startosh takimin”.

”Ai mund të përgatitet siç duhet, sesa ta vendosë atë nga pankina. Por më duhet të flas me të dhe së bashku mund të gjejmë një zgjidhje”. /Lajmi.net/