Tre milionë euro për petarde e fishekëzjarre

Policia e Kosovës ka filluar zbatimin e planit, i cili ka për qëllim ofrimin e sigurisë dhe qetësisë gjatë ditëve festive të ndërrimit të viteve. Dogana e Kosovës thotë se në vend kanë hyrë mjete piroteknike në vlerë prej 3 milionë euro.

Lajme

30/12/2013 06:51

Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat për të ofruar siguri dhe qetësi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të moteve.

Nga forcat e rendit ka filluar zbatimi i planit operativ “Fundviti 2013”, i cili ka për qëllim krijimin e kushteve për një ambient të qetë festiv, për të mbyllur pa incidente e dhunë vitin 2013.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, thotë për lajmi.net se  pjesëtarët e Policisë së Kosovë janë të gatshëm që të reagojnë në çdo lloj situata, nëse paraqitet nevoja.

“Sa i përket festave të fundvitit, Policia e Kosovës e ka hartuar me kohë planin e operimit”.

“Ky plan tashmë ka filluar që të implementohet për shkak se kemi hyrë në zonën e festave të fundvitit. Festa e Kërshëndellave ka përfunduar tani po presim natën e ndërrimit të motmoteve”.

“Të gjitha drejtoritë rajonale i kanë marrë masat konform veprimeve që pritet të ndodhin”.

“Do të ketë numër të mjaftueshëm të pjesëtarëve policor për të reaguar kur paraqitet nevoja”.

“Ne e kemi bërë edhe më herët fushatën për ndërgjegjësimin dhe informimin qytetarëve për mënyrën e drejtë të përdorimit të mjeteve piroteknike”.

“Kemi një trend në ulje të të lënduarve nga mjetet piroteknike apo fishekzjarrët e ndryshme”.

“Ne në vitin e kaluar ka pasur numër të vogël të personave në krahasim me vitin e kaluar nga këto mjete piroteknike po edhe nga plumbat qorr nga të shtunat me armë”.

“Shpresojmë që edhe në këtë vit nuk do të ketë probleme. Ne jemi të përgatitur që të reagojmë në çdo rast”.

Sadriut thotë se Policia e Kosovës duke u bazuar në masat që ka ndërmarrë nuk pret që të ketë probleme të mëdha gjatë festës.

Mirëpo, në bazë të të dhënave nga Doganat e Kosovës, këtë vit ka pasur ngritje të vlerës dhe sasisë së mjeteve piroteknike.

Zyrtarja për Informim në këtë institucion, Fllanza Mezini, ndonëse ka pasur ngritje të importit të mjeteve piroteknike në krahasim me vitin e kaluar,  thotë për lajmi.net se rreziku për lëndime sivjet mund të jetë më i vogël, pasi që shumica prej këtyre mjeteve piroteknike janë fishekzjarrë e jo petarda të cilat paraqesin rrezik më të madh dhe kanë potencial më të madh për të shkaktuar lëndime.

“Gjatë vitit 2013 importi  i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve është  rreth 2.2 milion kg, që kap vlerën mbi 3 milionë €. Ndërsa gjatë vitit 2012 sasia e importit të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve ka qenë rreth 1.8 milion KG, në vlerë rreth 2.7 milionë €”.

“Kryesisht mjetet piroteknike dhe fishekzjarrët importohen nga Kina, pastaj nga Bullgaria, Gjermania, Turqia etj”.