Trashëgimia e kërcënuar e Presidentit Rugova

Pakkush, në politikën kosovare, e sheh të udhës të shohë çfarë është trashëgimia politike e Dr.Rugovës dhe e Lëvizjes për pavarësimin e Kosovës, dhe në çfarë gjendje është ajo sot, gjashtë vjet pas bërjes së shtetit.

Opinion

22/01/2014 09:28

Në këtë 21 janar, Shteti i Kosovës nuk përkujtoi Presidentin e vet të parë, Dr.Ibrahim Rugovën.

Shteti mungoi në shfaqjen e respektit për Burrështetasin e parë të Republikës së Kosovës.

Çfarë pamë në këtë përvjetor ishte në masë të madhe fushatë për zgjedhjet nacionale të këtij viti.

Shteti i Kosovës përbëhet prej institucioneve, Presidentit, Qeverisë, Kuvendit, partive politike, por edhe prej personaliteteve të shquara të të gjitha fushave, autoriteteve fetare, Shoqërisë civile, mediave, qytetarëve të rëndomtë, që janë themeli i tij.

Të gjithë këta dhe shumë miq nga Bota, ishin bashkë tetë vjet më parë, në janarin e acartë të vitit 2006, kur vdiq Dr.Rugova.

Atëherë ishim Një me Të, tash jemi Pikë dhe Pesë, pa Të, në masë të madhe, duke luajtur, veç e veç, rolin e shfaqjes së mërzisë, mallit dhe respektit për të.

Si do të duhej të shfaqej Shteti, atëherë, në këtë përvjetor?

Së pari, ta zëmë, me një Seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të ftoheshin edhe disa burrështetas të mëdhenj që kanë qenë miq të Dr.Rugovës dhe të Kosovës në kohërat më të vështira.

Së dyti, me një Tubim përkujtimor të prirë nga Presidentja Jahjaga, në të cilin do të merrnin pjesë të gjithë së bashku, qeveritarë dhe opozitarë, politikanë të të gjitha komuniteteve, personalitete të shquara të shoqërisë kosovare. Gjithsesi, në këtë Tubim do të ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e të gjitha shteteve që janë të përfaqësuara në Prishtinë.

Së treti, me një Ngjarje të rëndësishme kulturore – artistike, e cila do të ishte tradicionale.

Natyrisht, ka edhe ide të tjera.

Por, ne edhe këtë përkujtim, e kemi kthyer në rutinë, diçka fare të zakontë në shënim të një ngjarjeje të jashtëzakonshme, në kiç madje, e gjithsesi, e kemi bërë edhe rast kur shfaqen synimet e qarta për përfitime politike të çastit.

Kemi të bëjmë fatkeqësisht, pra, edhe me një kastë të profiterëve politikë nga Përkujtimi i Presidentit Rugova. Natyrisht, jo vetëm në këtë rast dhe jo vetëm me Dr.Rugovën.

Kjo kastë mbase mbizotëron ndër ata që u përkulën në Velaninë e Presidentit. Sinqeriteti është minoritet në këtë politikën kosovare.

Kur dihet që sivjet do të mbahen zgjedhjet parlamentare, mësymja kah varri i Presidentit Rugova ka qenë një akt i cili ka mundur të rrisë, apo ashtu është parë, ‘llogarinë parazgjedhore’ të politikanëve dhe të partive. Nuk ka dyshim që qytetari i rëndomtë i Kosovës çmon sot e kësaj dite Presidentin Rugova, mbase më shumë se kurrë. Për këtë shkak, përulja para varrit të Rugovës shihet si ‘investim i mirë politik’. Apo jo.

Pakkush, në këtë politikën e sotme kosovare, e sheh të udhës që në këto rrethanat e tanishme, të shohë se çfarë është në fakt trashëgimia politike e Dr.Rugovës dhe e Lëvizjes politike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, dhe në çfarë gjendje është ajo sot, gati gjashtë vjet prej bërjes së shtetit të Kosovës.

Orientimet kyç, ato të karakterit strategjik, vendimtar për fatin e Kosovës, ishin qartësuar në vitet 1989-1991 nga Dr.Rugova dhe Lëvizja për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht, dihet se si është zhvilluar historia më pas, çfarë ka ndodhë tutje, pse ishte e domosdoshme paraqitja e UÇK-së, pse u dashtë gjithë ai flijim në një luftë të madhe për të mbërritë tek qershori i vitit 1999. Ama të gjithat ishin etapa të domosdoshme e në rrugëtimi që ishte definuar qartë në vitet 1989-1991.

Kosova pra duhej të çlirohej nga Serbia, të bëhej shtet i pavarur.

Shteti i Kosovës do të ishte shtet i të gjithë qytetarëve të vet, me respektimin e plotë të të drejtave të pakicave.

Kosova do të ishte shtet i demokracisë liberale.

Kosova do të ishte Perëndim, në kuptimin e plotë të fjalës, me një orientim të qartë politik, shoqëror, kulturor evropian dhe perëndimor.

Kosova do të kishte marrëdhënie të veçanta me SHBA-në.

Asnjëri prej këtyre synimeve nuk dukej i arritshëm në ato vite.

Të gjithat u realizuan në ndërkohë, në vitet e kaluara.

Dr.Rugova nuk e priti shkurtin e vitit 2008.

Dhe sot, disa prej këtyre synimeve të sendërtuara, po mëdyshen këtu, në këtë ambientin politik, shoqëror dhe kulturor të Kosovës, shumë më tepër se sa në vitet më të rënda të Kosovës, atje në të nëntëdhjetat e shekullit të kaluara gjatë okupimit të egër të Serbisë.

Kush do ta besonte këtë vetëm gjashtë-shtatë vjet më parë?

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)