Tramezzani: Kjo ishte skuadra më e fortë në grupin e Shqipërisë gjatë kualifikimeve

Ndihmësi i Gianni De Biassit, Paolo Tramezzani, ka thënë se Serbia ishte kundërshtari më i fortë i Shqipërisë, gjatë kualifikimeve për EURO 2016.

Sport

23/01/2016 16:14

Paolo Tramezzani beson se Shqipëria ka gjasa për të befasuar edhe në Kampionatin Europian, përkundër faktit që kundërshtarët e saj në grup janë më të fortë.

Ai si ilustim për këtë e ka marrë kampanjën kualifikuese për në EURO 2016, ku Shqipëria përkundër faktit që ndodhej në një grup me ekipe si Portugalia, Danimarka dhe Serbia, ia doli që të kualifikohej.

Madje, sipas italianit, Serbia ishte kundërshtari më i forte në grup, transmeton GazetaOlle.

“E dimë që këto janë skuadra që ndoshta kanë më shumë kualitet se ne, ashtu sic ndodhi edhe me ato që kishim në grupin e eleminatoreve të Europianit, ku besoj madje se Serbia ishte më e forta, edhe më e fortë se Portugalia apo Danimarka, por ne treguam se mund të luajmë si të  barabartë edhe në aspektin e kualitetit”, theksoi italiani.

“Kemi dëshirë që të vazhdojmë duke surprizuar, duke bërë maksimumin, dhe pa u ndier asnjëherë të vetëkënaqur”, shtoi ai.