Trajnim joserioz i komisionerëve

Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ'së ta rrisë nivelin e trajnimeve për komisionerët dhe vëzhguesit e ditës së zgjedhjeve. Vërehen mungesa të mëdha në trajnimet e deritashme.

Lajme

21/10/2013 11:38

Rrjeti i organizatave vëzhguese “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar sot se KQZ është duke trajtuar në mënyrë joserioze trajnimin e komisionerëve dhe vëzhguesve për ditën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 3 nëntor.

Në paraqitjen e raportit të dytë të ecurisë së fushatës për zgjedhjet lokale, zyrtarë të këtij rrjeti vëzhguesish janë shprehur se, duke ditur rëndësinë që kanë në vendvotime, komisionerët duhet të kenë trajnim të veçantë.

“Nga ajo që vëzhguesit tanë po raportojnë, po del që ka disa çështje të cilat nuk po garantojnë që këto trajnime të jenë cilësore”, ka thënë Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim.

“Vetëm në Komunën e Prishtinës, në ditën e parë të trajnimit të komisionerëve, nga 266 komisionerë që janë nënshtruar procesit të trajnimit kanë munguar 80 prej tyre – madje 4 nga ta kryesues të vendvotimeve. Ditën e dytë kanë munguar 84 persona, 8 nga ta kryesues të vendvotimeve”.

“Nëse kjo mungesë kaq e madhe është në Prishtinë, kur e dimë që se sa është e mbikëqyrur Komuna e Prishtinës, atëherë shtrohet pyetja se cili është niveli i trajnimit që ofrohet në komunat tjera”.

“Kërkojmë nga KQZ që ta fuqizojë rolin maksimal të saj për ta mbikqyrur këtë proces, në mënyrë që të kemi trajnime cilësore”.

Selmanaj është shprehur se zgjedhja e ZëvendësKryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ’së, Goran Zdravkovic, është bërë në mënyrë të paligjshme, ndërsa ka dënuar aktet e dhunës që po ndodhin në pjesën veriore të Kosovës, të cilat thuhet se janë të lidhura me procesin zgjedhor.

“Ne kërkojmë nga organet kompetente të zhvillohet një proces i sigurt elektoral edhe në atë pjesë të Kosovës”.