Trajneri i Lyon: Ja si e ndalëm Ronaldon

Trajneri i skuadrës së Lyon, Rudi Garcia, ka ironizuar me Cristiano Ronaldon pas fitores së mbrëmshme që skuadra e tij e arriti kundër Juventusit, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Sport

27/02/2020 11:58

Francezët fituan me rezultat të ngushtë, 1:0, me golin e shënuar nga Lucas Tousart.

Ish-trajneri i Romës u shfaq në disponim pas përballjes, kësisoj as batutat e lëshuara prej tij nuk munguan.

I pyetur për mënyrën se si arritën ta administronin rezultatin, dhe mbi të gjitha se si ia kishin bërë ta ndalnin yllin portugez, ai u përgjigj me tallje për portugezin.

“E di si ndalet Ronaldo. Iu tregova lojtarëve të mi që të mos shkaktojnë faul në zonë dhe kjo mendoj se mjafton”, u shpreh 60-vjeçari, transmeton lajmi.net.

Ronaldo u ndal së shënuari në ndeshjen e mbrëmshme pas 12 ndeshjeve të njëpasnjëshme në të cilat kontribuoi me të paktën një gol.

Ndeshja e radhës do të luhet në ‘Allianz Stadium’, ku ‘Zonja e Vjetër’ do të tentojë të përmbysë rezultatin e sfidës së parë./Lajmi.net/