Trajneri i Greqisë për Kosovën: Do të jetë më lehtë se ndaj Moldavisë për këtë arsye

Trajneri i Greqisë, John van ‘t Schip ka folur për media para takimit kundër Kosovës.

Sport

13/10/2020 13:47

Tekniku holandez fillimisht tregoi se si qëndron gjendja e lojtarëve të skuadrës së tij.

“Të gjithë lojtarët janë në rregull dhe të gatshëm, ndoshta ka pak lodhje por kjo është normale. Kemi fituar ndeshjet pa u lodhur shumë dhe lojtarët janë të mësuar të luajnë dy ndeshje në javë, prandaj nuk do ketë probleme”, u shpreh Schip.

Në vazhdim ai u pyet nga gazetarët edhe për mënyrën si do të luajnë kundër Kosovës, dhe a do jetë më e vështirë se ndeshja e kaluar kundër Moldavisë.

“Kosova janë një skuadër që luan futboll me topin ndërsa Moldavia vetëm mbroheshin. Kosova mbajnë mirë topin dhe ne duhet të përgatitemi për këtë gjë, duhet të mbrohemi mirë kundër tyre. Në anën ofanzive do jetë shumë më lehtë pasi kundër Moldavëve nuk kishim hapësira të mëdha shënimi sepse të gjithë luanin në mbrojtje, Kosova luan futboll të hapur dhe është më e lehtë të depërtosh në mbrojtjen e tyre”, ishin fjalët e trajnerit.

Në fund, ai u përkujdes që të jepte edhe një mesazh për tifozët.

“Duam që të fitojmë ndeshjen duke luajtur futboll të bukur”- përfundoi Schip.

Ndeshja, Greqi – Kosovë luhet nesër me fillim nga ora 20:45. /Lajmi.net/