Trajneri i Çekisë: Kosova, rivali ynë më i fortë

16:13 | 11 Qershor 2019

Forma e mirë e Kosovës në dy vitet e fundit dhe paraqitjet në kualifikimet për Euro 2020, ka bërë që ‘Dardanët’ shumë më shpejtë se sa është pritur, të fitojnë respektin e kombëtareve më të mëdha të Evropës.

Përfaqësuesja e Kosovës, pas tri ndeshjeve kualifikuese për Euro 2020 në grupin A, ka arritur një fitore dhe dy barazime, duke u renditur në vendin e tretë me pesë pikë.

Pas këtyre paraqitjeve, trajneri i Kombëtares së Çekisë, Jaroslav Silhavy, e sheh Kosovën si rivalin më të fortë për vendin e dytë në grup.

Kosova dhe Çekia kanë për t’u përballur në shtator fillimisht në Prishtinë, dhe në nëntor në Pragë.

“Kosova duket të jetë rivali ynë më i fortë. Ata erdhën nga vazoja e pestë dhe shikoni ku janë tani. Kanë pesë pikë dhe nuk kanë humbur asnjërën nga tri ndeshjet. Ata luajnë si malazezët, por janë më produktiv”, ka deklaruar Silhavy.

“Ne duhet ta shikojmë veten dhe të bëjmë punën tonë. Në shtator na presin dy udhëtime të vështira në Ballkan, ndaj Kosovës dhe Malit të Zi. Nëse menaxhojmë mirë ndeshjen me Kosovën, mund të marrim frymë më lirshëm”, ka shtuar ai./Lajmi.net/