Trajneri i Barcelonës kërkon vëmendje të veçantë ndaj Muriqit: Duhet të jemi të fokusuar në çdo moment

Golat e Vedat Muriqit në La Liga po bëhen rutinë. Sulmuesi kosovar ka shënuar tashmë 15 gola në elitën e futbollit spanjoll, duke treguar formë të lartë edhe ndaj ekipeve më të mëdha të Spanjës. Muriqi shkëlqeu në janar, duke shënuar pesë gola në katër ndeshje dhe duke fituar çmimin e lojtarit më të mirë…

Sport

06/02/2026 20:07

Golat e Vedat Muriqit në La Liga po bëhen rutinë. Sulmuesi kosovar ka shënuar tashmë 15 gola në elitën e futbollit spanjoll, duke treguar formë të lartë edhe ndaj ekipeve më të mëdha të Spanjës.

Muriqi shkëlqeu në janar, duke shënuar pesë gola në katër ndeshje dhe duke fituar çmimin e lojtarit më të mirë të muajit në La Liga, çmim që e mori për herë të dytë në karrierë. Me gol e asistim, sulmuesi e nisi edhe muajin shkurt, duke kontribuar në fitoren 4:1 të Mallorcas në “San Moix” ndaj Sevillas.

Tjetër paraqitje të mirë Muriqi synon të ketë të shtunën në ndeshjen që Mallorca e luan në udhëtim te Barcelona, nga ora 16:15, në kuadër të xhiros së 23-të të La Ligës.

Në vitin 2023, Muriqi kishte shënuar e asistuar në barazimin 2:2 në shtëpi ndaj Barcelonës, ndërsa një tjetër gol realizoi në vitin 2024 në disfatën 5:1 po në shtëpi.

Para përballjes me Mallorcan, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur në konferencë për shtyp, duke vlerësuar lartë sulmuesin kosovar.

“Shënimi i golave është i rëndësishëm, por edhe stili jonë i lojës ka rëndësi edhe më shumë. Kështu që duhet të jemi të fokusuar në çdo moment. Ne do të luajmë kundër Mallorcas që e ka Muriqin, i cili është duke kaluar sezon shumë të mirë. Dhe ne duhet të kemi vëmendje të veçantë ndaj tij”, ka deklaruar të premten Flick.

Ndërsa Barcelona po lufton për titull kampioni, Mallorca është duke luftuar për mbetjen në elitë. Barça udhëheq me 55 pikë, ndërsa Mallorca ka 24 pikë dhe pozicionohet në vendin e 14-të.

Mallorca ka grumbulluar një pjesë të madhe të pikëve falë formës së shkëlqyer të Muriqit, i cili është në ndjekje të rekordit të Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë në histori të klubit në La Liga. Sulmuesi kosovar ka shënuar 49 gola, ndërsa Eto’o 54.

Në listën e golashënuesve më të mirë të elitës spanjolle, vetëm Kylian Mbappé i Real Madridit (22 gola) është më lart se prizrenasi, i cili ka lënë pas futbollistë të njohur si Ferran Torres, Ante Budimir, Lamine Yamal, Robert Lewandowski, Mikel Oyarzabal, Raphinha dhe Julian Alvarez.