Trajneri i Argjentinës zbulon arsyen pse e la jashtë Icardin
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni ka zbuluar arsyen se pse ai e la Mauro Icardin jashtë nga skuadra për Kupën e Amerikës këtë verë.
Sport
Sulmuesi i Interit ka pasur një sezon të vështirë, pasi fillimisht iu hoq shiriti i kapitenit dhe më pas bisedimet për rinovimin e kontratës u ndaluan.
Me Argjentinën që dëshiron të harrojë sa më shpejtë Botërorin e kaluar, Scaloni tha se vendimi i tij për mos përzgjedhjen e 26-vjeçarit nuk ishte nxitur nga një çështje jashtë fushës, përcjell lajmi.net.
”Duke parë se ka një grup të madh lojtarësh për t’u zgjedhur, është normale që ka dyshime”, tha ai në një konferencë shtypi.
”Për t’i bërë të gjithë të lumtur, sidomos për një ekip kombëtar është shumë e vështirë. Vendimi përfundimtar është gjithmonë për të mirën e ekipit”.
‘’Ne duhej të bënim listën prej 23 lojtarëve, dikush u desh të qëndronte në shtëpi, por kjo nuk do të thotë se dera e kombëtares do mbyllet gjithmonë për ta’’, zbuloi Scaloni. /Lajmi.net/