Trajkoviq: Vuçiq, personi kryesor që po pengon hetimin e vrasjes së Ivanoviqit

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane për Kosovën, Rada Trajkoviq, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po pengon hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Lajme

22/04/2019 12:58

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane për Kosovën, Rada Trajkoviq, ka thënë se pengesa kryesore për hetimet për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, vjen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Si ta kuptoj ndryshe. Nëse presidenti i shtetit del me materialin hetues dhe ia zbulon atë opinionit për rrjedhën e hetimeve, ky është mesazh për atë që kanë dëshmuar ose për ata që planifikojnë të dëshmojnë se menjëherë ai do t’i dijë të gjitha. Kam qenë shënjestër e tij, e thelbi është se ai e pengon hetimin”, ka thënë Trajkoviq për “N1”, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Serbisë kohë më parë e kishte akuzuar Rada Trajkoviqin se dëshmia e saj në Kosovë për vrasjen e Oliver Ivanoviq që nga 23 nëntori i ka lënë dy serbë në paraburgim. Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka shkruar edhe më larg, i cili në rrjetin social Tëitter ka publikuar dokumentin që në mënyrë autentike tregon çfarë ka thënë në hetime Rada Trajkoviq.

Trajkoviq tha se shumë serbë, të cilët kishin komunikim me Oliver Ivanoviqin, kanë dhënë deklaratën e tyre në Prokurorinë Speciale.

“E kam thënë edhe në deklaratat e mia në Prokurorinë Speciale, por edhe në mediet në Beograd ku kam thënë se pas vrasjes së Ivanoviqit qëndron një mafie nga veriu i Kosovës”, ka deklaruar më tutje Trajkoviq.

Tutje Trajkoviq, ka thënë se në këtë vrasje mund të jetë i përfshirë edhe shërbimi sekret i Serbisë.

“Nuk e di nëse shërbimi sekret i Serbisë është përdorur nga mafia apo mafia e ka përdorur shërbimin sekret, por është e qartë se ka pasur një projekt të përbashkët”, u shpreh Trajkoviq, transmeton më tutje lajmi.net.

Ndryshe Oliver Ivanoviq është vrarë në mëngjesin e 21 janarit të vitit të kaluar para zyrës së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës. /Lajmi.net/