Tragjedia në Koçan, ministri i Shëndetësisë tregon për gjendjen shëndetësore të të lënduarve
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore e rreth 200 personave që mbetën të lënduar nga zjarri që ra në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 të tjerë. “Këto ditë ka pasur deri në 200 pacientë që janë trajtuar. Dje janë liruar në mjekim shtëpiak 14…

Lajme
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore e rreth 200 personave që mbetën të lënduar nga zjarri që ra në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 të tjerë.
“Këto ditë ka pasur deri në 200 pacientë që janë trajtuar. Dje janë liruar në mjekim shtëpiak 14 pacientë. Nëpër klinikat e Shkupit për momentin gjenden 54 pacientë. Dhe 115 pacientë janë duke u trajtuar jashtë vendit. Javën që vjen, dalë ngadalë kemi përmirësim të pacientëve që janë jashtë shtetit. Prej javës së ardhshme nisim gradualisht disa pacientë t’i lëshojmë në shërim shtëpiak në Maqedoni dhe të pranojmë 5 deri në 10 pacientë që janë jashtë shtetit”, tha Taravari.
Më tej, ai sqaroi se fatmirësisht numri i të lënduarve në gjendje kritike, që rrezikonin të humbin jetën ka zbritur në vetëm 6. Nga 21 të tillë që ishin në fillim të javës.
Taravari gjithashtu sqaroi se gjatë javës së ardhshme disa pacientë do të kthehen nga shtetet ku u transportuan për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
“Ditën e parë të dielën thashë që 21 pacientë ishin në situatë të rëndë shëndetësore, ku praktikisht ishin në kufi, a do jetojnë apo do ndërrojnë jetë. Fatmirësisht sot po them se vetëm 6 pacientë janë në gjendje kritike. 15 prej tyre janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Po i ndjekim dhe marrim dy herë në ditë informacione nga shtetet ku gjenden pacientët. Fatmirësisht rreth 30 pacientë kanë dalë nga intubimi dhe kthehen javën e ardhshme në Maqedoni, ku do të vijojë ndjekja e tyre nga mjekët. Këtë javë presim 5-10 pacientë nga Spanja, Suedia, Italia dhe Belgjika. Deri ditën e premte i kthejmë në Maqedoni dhe do vazhdojmë kurimi i tyre këtu. Mbi 50 pacientë për një muaj do kthehen por ato që janë pak më rëndë, do të vijojë deri në 2-3 muaj jashtë vendit”, tha Taravari për a2cnn.