Tragjedia e familjes nga Gjilani që vdiqën në Shqipëri, dyshohet se u helmuan nga konsumimi i kërpudhave

Tre anëtarë të një familje nga Gjilani vdiqën në Shqipëri si pasojë e helmimit nga ushqimi.

Lajme

09/05/2021 08:10

Dy ndërruan jetë përnjëherë dhe i treti të dielën.

Viktimat janë Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Haliti. Gazetari i ABC në Durrës Leonidha Musai raporton se familja nga Kosova kishte ardhur në Gjirin e Lalzit dhe po qëndronin në shtëpinë e tyre me pushime prej disa ditësh.

Shkak i vdekjes dyshohet se kanë qenë kërpudhat, që po sipas të dhënave të para dyshohet se i kishin mbledhur në pyll dhe i kishin konsumuar në shtëpinë e tyre.

Pas problemeve të para shëndetësore tre anëtarët e familjes Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Haliti shkuan në qendrën shëndetësore Manëz për mjekim dhe më pas ishin kthyer në banesë, por gjendja u agravua dhe fatkeqësisht ndërruan jetë.

Janë proceduar në gjendje të lirë dy mjekët që i kanë pritur për t’u dhënë ndihmën e parë me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe (familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Durrësit./Lajmi.net/