Tragjedi tjetër në Detin Mesdhe, mbytën edhe 300 emigrantë afrikanë

Të paktën 300 emigrantë druhet të kenë vdekur pasi anijet me të cilat po lundronin u fundosën në Detin Mesdhe, afër brigjeve të Afrikës së Veriut, ka njoftuar të hënën drejtor rajonal i  UNHCR, Vincent Cochetel, duke e quajtur këtë incident si “një tragjedi të shkallës më të lartë”.

Bota

11/02/2015 14:55

UNHCR njoftoi se emigrantët ishin larguar nga Libia të shtunën, derisa nëntë të mbijetuarit të cilët u sollën në Lampedusa nga roja bregdetare italiane besohet të jenë nga Afrika Perëndimore, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Raportet fillestare të hënën sugjeruan se së paku 29 emigrantë kishte vdekur pasi barka e tyre e vogël ishte përmbysur, por drejtori rajonal i UNHCR-së, tha se bëhet fjalë për disa barka të përmbysura nga stuhia dhe për rreth 300 emigrantë të zhdukur.

“Evropa nuk mund të përballojë fluksin e refugjatëve dhe nuk mund të bëjë shumë kur vepron me vonesë”, tha Cochetel, duke tërhequr vërejtjen se tragjedi të reja në Mesdhe mund të përseritën në qoftë se emigrantët që kërkojnë siguri dhe jetë më të mirë lihen në mëshirën e detit.

Sipas UNHCR-së, gati 3500 njerëz janë mbytur gjatë vitit 2014, në përpjekje për të kaluar Detin Mesdhe dhe për të arritur Evropën, por më shumë se 200000 të tjerë u shpëtuan nga misioni italian “Mare Nostrum”, që tash i ka kaluar nën përgjegjësi Bashkimit Evropian.