Tovërlani: Nuk besoj që Munishi u shkarkua nga Cima

Trajneri kosovar, Afrim Tovërlani, ka folur për shkarkimin e trajnerit, Ismet Munishi, nga Ballkani.

Sport

28/12/2020 08:20

Më herët gjatë javës, skuadra e Ballkanit dhe Ismet Munishi kishin ndërprerë bashkëpunimin. Tani, trajneri shqiptar, Bledi Shkëmbi është zyrtarizuar si numri një në skuadrën suharekase, ai është pasuesi i Munishit.

Trajneri kosovar, Afrim Tovërlani, duke folur për situatën deklaroi për “Dueli Sportiv” që nuk beson që, presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi shkarkoi Munishin por dikush tjetër.

Tekniku prishtinas ka theksuar që Munishi u shkarkua pas presionit të njerëzve të afërt të Arsim Kabashit nga Skënderbeu, prej të cilëve është Haris Fakiq.

“Munishin nuk e ka shkarkuar kryetari Arsim Kabashi nga posti i trajnerit, atë e kanë larguar me presionin e njerëzve që kanë ardhur nga Skënderbeu i Korçës”, tha ai.

“Unë supozoj se nuk ka qenë vendim i Cimës, por ka pasur sygjerime nga dikush tjetër”, tha Tovërlani.

“Mos harroni se nuk është lehtë që të shpallesh kampion në çdo kampionat, por edhe në Kosovë. Ismeti ka qenë ai që e ka sjellur Ballkanin deri në këtë pikë”, përfundoi Afrim Tovërlani.

Ai e ka përgëzuar Munishin për punën e bërë në skuadër.