Totti, Toni e Di Natale jashtë Botërorit

Cesare Prandelli është shumë pranë përzgjedhjes së 23 futbollistëve që do të shkojnë në Brazil për t’u paraqitur në Kampionatin botëror me fanellën e Italisë. Selektori i Azzurrëve do të grumbullojë fillimisht një grup prej 40 futbollistësh e pastaj do ta shkurtojë atë në 23, varësisht edhe nga forma e tyre fizike, para nisjes për…

Sport

04/04/2014 08:17

Cesare Prandelli është shumë pranë përzgjedhjes së 23 futbollistëve që do të shkojnë në Brazil për t’u paraqitur në Kampionatin botëror me fanellën e Italisë.

Selektori i Azzurrëve do të grumbullojë fillimisht një grup prej 40 futbollistësh e pastaj do ta shkurtojë atë në 23, varësisht edhe nga forma e tyre fizike, para nisjes për në shtetin nga Amerika e Jugut.

Por, në mesin e atyre që do të grumbullohen nuk do të jenë Francesco Totti, Luca Toni dhe Antonio Di Natale, ka bërë të ditur e përditshmja sportive italiane Corriere dello Sport.

Tri mungesa të konsiderueshme ku pavarësisht moshës së tyre dhe statusit të veteranëve, tregojnë qëllimin e Prandellit: mbështetja tek futbollistët në gjendje më të mirë fizike dhe sa më të freskët.

Mario Balotelli e ka vendin e sigurt në sulmin e Italisë, por atij mund t’i bashkohen Mattia Destro, Ciro Immobile, por edhe Giuseppe Rossi në rast se arrin të rikuperohet me kohë pas lëndimit të rëndë që pësoi më herët gjatë këtij sezoni.

Antonio Cassano? Dyert e Italisë do të mbeten të hapura edhe për të.