Torres e Eto’o, favoritë për sulmin e Milanit

Milani është në kërkim të pasardhësit të Mario Balotellit. Së fundmi flitet se Fernando Torres dhe Samuel Eto’o janë favoritë për t’u transferuar në San Siro, pasi Mattia Destro e Jackson Martinez kushtojnë shumë. E ëndrra e Berlusconit është Radamel Falcao.

Sport

25/08/2014 11:37

Me shitjen e Mario Balotellit në Liverpool, synim primar i Milanit është një sulmues që shënon gola.

Pistat që qojnë tek Mattia Destro e Jackson Martinez janë ulur, pasi ata kushtojnë shumë, ndërsa Radamel Falcao mbetet ëndërr e presidentit Silvio Berlusconi.

Mirëpo, sipas medieve italiane, pasardhësit më të mundshëm të SuperMarios janë dy: Fernando Torres dhe Samuel Eto’o.

I pari ka përfunduar në bankinën e Chelseat, pasi trajneri Jose Mourinho e preferon përforcimin Diego Costa, ndërsa i dyti është i lirë, pasi u nda pikërisht me Blues këtë verë.

Gjithashtu përmenden emrat e sulmuesve brazilianë, Fred e Jo dhe të spanjollit Roberto Soldado.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se cili do të jetë futbollisti që do ta udhëheq sulmin e Milanit, përkrah Pazzinit e El Shaarawyt.