Topalli për Ferizajn

Grupi i analistëve dhe gazetarëve të mbledhur nga Instituti D4D ka ardhur në përfundim që Faton Topalli, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, është përzgjedhja më adekuate për të drejtuar Komunën e Ferizajt.

Opinion

30/10/2013 08:02

SERI EDITORIALESH QË NXJERRIN KANDIDATËT MË ADEKUATË PËR KRYETAR

[infobox style=’regular’ static=’1′]

Duke diskutuar dhe analizuar secilin kandidat, të kaluarën e tyre, premtime, performancën në debate, cilësinë e porosive dhe programit të tyre, një grup analistësh dhe gazetarësh kanë krahasuar ata dhe kanë nxjerrë kandidatin më adekuat.

Dëshirojmë të inkurajojmë opinion-formuesit që të diskutojnë haptazi performancën dhe të jenë më të guximshëm në kritikat apo lëvdatat e politikave dhe kandidatëve që proklamojnë ato, përkundër frikës se dikush mund të na akuzojë për anim.

Kemi ndërmarrë disa mënyra për të zvogëluar rrezikun e animit: përfshirje e gjerë të analistëve, shqyrtim të detajshëm të epërsive dhe dobësive të kandidatëve, votimi veç e veç për 10 kritere, dhe kërkimi i konsensusit përfundimtar se cili do të ishte kryetari më i mirë.

Emrat e analistëve dhe gazetarëve që ishin pjesë të këtij diskutimi do të publikohet në përmbyllje të kësaj serie të shkrimeve. Artikulli gjithashtu mund të gjendet në web faqen e Institutit D4D që koordinon këtë proces (

U konstatua se përparësi e Topallit është se ai është i përgatitur për debat dhe ka program të detajuar, është bashkëpunues me shoqërinë civile, ka ide kreative për ulje të papunësisë, integritet personal, mendim të pavarur nga subjekti, shkollim superior në raport me kundërkandidatët. Edhe pse ka jetuar jashtë gjatë, vlerësohet se kthimi i tij është përgjithmonë, pa marrë parasysh a fiton garën zgjedhore apo jo. Fakti se s’ka jetuar në Kosovë dhe fakti se dikur ka qenë pjesë e degës së PDK-së në Ferizaj, e më vonë është “ricikluar” në Vetëvendosje, janë dy faktorë të rëndësishëm që janë cilësuar si “minus” tek ai.

Tek kandidati i LDK-së, Svarça, “plus” është cilësuar fakti se ka arritur t’i bashkojë fraksionet në LDK sapo e ka marrë timonin e degës së kësaj partie në Ferizaj, dhe se gjithashtu ka arritur ta bashkojë LDK-në e Ferizajt me LDD-në e këtij qyteti. Ai është vlerësuar edhe për faktin se është emër freskues për LDK-në në Ferizaj, se ka siguri financiare nga të ardhurat e biznesit, është figurë konsensuale, dhe se ka përvojë menaxheriale dhe të kaluar pa njolla. Por, “të qenit i rezervuar në debat, pritjet e mëdha në parti nga ai, shfrytëzimi i ndasive në subjektin e tij politik, dhe mosriparimi i dallimeve, rreziku që ta kthejë në skenë të kaluarën oportune të LDK-së, si dhe premtimet shabllon, siç janë zonat industriale”, e përbëjnë rubrikën “minus”.

Edhe te kandidati i PDK-së, Aliu, grupi i analistëve dhe gazetarëve ka nxjerrë disa pluse, ndër të cilat është kontributi për frymë politike tolerante, integriteti personal dhe i familjes, fillimi i ndërtimit të sheshit të ri në Ferizaj, si dhe njohja e pushtetit lokal e përvoja politike. Por, as “minuset” nuk kanë qenë të pakta dhe numërojnë: mungesa e transparencës gjatë qeverisjes së komunës, i kontestohet statusi i veteranit të luftës, dëmtimi i drunjve në qytet, mbi 1300 objekte të ndërtuara pa leje, të qenit kryetar kukull – i pafuqishëm për emërim të ekzekutivit, si dhe krijim i fraksioneve të reja brenda subjektit dhe në qeverisje në dobi të klaneve.

Tek Xhabir Zariqi i AAK-së është cilësuar si plus fakti se ka përvojë politike, është vendimtar për raundin e dytë dhe se ka njohuri për pushtetin lokal, ndërsa minusat janë përqendrimi i skajshëm në kritikë gjatë debatit, nuk paraqet program, ka shkëputje të shpeshta politike, është i paqartë në debate, dhe ka shkaktuar ndasi në AAK.

Çfarë do të bëjë kryetari i Ferizajt pas 3 nëntorit?

Nëse pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, në krye të Komunës së Ferizajt do të vijë Faton Topalli i Vetëvendosjes, atëherë depolitizimi i arsimit, ngritja e profesionalizimit duke e marrë shembull Zvicrën ku ka jetuar dhe përvojat nga ky shtet, si dhe me krijimin e zonave të turizmit, në krijimin e inkubatorit të biznesit, do t’i ndajë 7.3 milion për bujqësi, dhe do të krijojë 700 vende sezonale të punës. Ai premton të rishpërndajë buxhetin, të bëjë kuzhina për të varfër, lulishte në qytet, ligjshmëri, si dhe do ta zvogëlojë numrin e të punësuarve në administratë.

Konkurrenti i tij kryesor, Muharrem Svarça i LDK-së, si kryetar i mundshëm mendon të përqendrohet në krijimin e lehtësirave dhe shërbimeve për afaristët si dhe në program të qartë bujqësor. Nëse deklarimet janë udhëzim, ai premton ti kthejë Ferizajt identitetin industrial, të bëjë zona dhe parqe industriale për biznesin vendor, të bëjë favore për kapitalin e huaj si dhe të rikthejë përpunimin e drurit – që ka qenë identiteti i dikurshëm i Ferizajt.

Krejtësisht në pika të ndryshme nga Topalli e Svarça pritet të jetë i përqendruar Agim Aliu i PDK-së. Identiteti i ri i Ferizajt, inaugurimi i vlerave identitare, vazhdimi i përmirësimit të mirëqenies sociale, kujdesi për politika ambientaliste, subvencionimet për biznese të vogla, janë pikat, ku ndër të tjera, do të jetë i përqendruar ai.