Tomovic ka frikë të luajë në Shqipëri

Futbollisti serb Nenad Tomovic ka frikë nga ndeshja e kthimit në Shqipëri. Ai thotë se tensioni do të jetë i madh dhe krejt kjo mund të ndikojë negativisht tek lojtarët e rinj në ekip.

Sport

29/10/2014 08:52

Reprezentuesi i Serbisë, Nenad Tomovic ka thënë se ka frikë para ndeshjes së kthimit me Shqipërinë, pas duelit të ndërprerë në Beograd më 14 tetor.

“Vështirë e kam të paramendoj reagimin e shokëve të Kombëtares, sepse nuk e di as për vete se si do të sillem kur lexoj se marrim kërcënime nga terroristët”, deklaroi Tomovic për “Kurir”, raporton “Lajmi.net”.

“Mendoj se tensioni do të jetë i madh para ndeshjes në Shqipëri dhe një atmosferë e tillë mund të ndikojë keq tek futbollistët e rinj me më pak përvojë. Shpresoj se do të arrijmë të ruajmë përqendrimin dhe se e tëra do të na shtojë motivin për fitore”, u shpreh ai.