Tommasi i frikësohet Coronavirusit: Të shqyrtohet opsioni për shtyrjen e Euro 2020

Presidenti i shoqatës së lojtarëve italianë, Damiano Tommasi, ka thënë se UEFA duhet të marrë parasysh mundësinë për shtyrjen e Euro 2020.

Sport

05/03/2020 19:11

Coronavirusi është tema kryesore në mediet botërore gjatë muajit të fundit. Viktima të shumta janë shënuar nga ky virus, si dhe shumë persona të tjerë janë të prekur.

Si pasojë, në Itali të gjitha evenimentet sportive do të luhen me dyert e mbyllura, së paku deri në muajin prill.

Por, presidenti i shoqatës së lojtarëve italianë i ka bërë thirrje UEFA që të konsiderojnë mundësinë për shtyrjen e Kampionatit Evropian.

“UEFA duhet të konsiderojë mundësinë për shtyrjen e Euro 2020, për t’i dhënë mundësi ligave që të arrijnë një përfundim” ka thënë Tommasi për ‘ANSA’, transmeton lajmi.net.

“Problemi me Coronavirusin nuk është vetëm problem i Italisë. Serie A do të vazhdojë me dyert e mbyllura, por mes lojtarëve ka disa që pajtohen që duhet të vazhdojmë, kurse ka të tjerë që janë të shqetësuar” ka shtuar tutje italiani.

“Çka është më e keqe është ajo se nëse një lojtar preket me Coronavirus, e gjithë skuadra duhet shkojë në karantinë” ishin fjalët e Tommasi.

Mbetet të shihet nëse thirrjes së presidentit të shoqatës së lojtarëve italianë do t’i përgjigjet UEFA. /Lajmi.net/