Tjetër tragjedi në Greqi, 3 të vdekur dhe 10 të zhdukur në Mytilini

Një nënë dhe dy fëmijët e saj u nxorën të mbytur nga ujërat e ftohta të Egjeut, pas përplasjes së varkës së tyre me disa shkëmbinj nënujorë në brigjet e Mytilinit.

Bota

25/10/2015 15:06

Tragjedia e radhës ndodhi gjatë orëve të natës në afërsi të ishullit grek, pak përpara se gomonja me 63 emigrantët në bord të mbërrinte në brigjet greke.

Sipas burimeve lokale, 63 pasagjerët u gjendën në det në errësirë të plotë, ndërsa Roja Bregdetare greke dhe forcat e FRONTEX mbërritën në zonë pak minuta më vonë.

Edhe banorët e zonës ndihmuan duke bërë të mundur shpëtimin e 50 personave.

Dëshmitarët okularë thanë se, rreth 10 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa një nënë dhe dy foshnjat e saj të mitura nuk mundën të shpëtojnë.

Trupat e tyre u dërguan në morgun e Spitalit të Mytilinit, në pritje të dërgimit në Siri për t’u prehur në vendlindje.

Policia greke tha se po heton për rastin, por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e trafikantëve, që dërguan gomonen nga brigjet turke drejt atyre greke.

Situata në ishullin e Mytilinit tashmë vlerësohet si alarmante, teksa brenda dy ditëve të fundit kanë mbërritur në këtë ishull më tepër se 5000 vetë.

Kushtet në ishull janë tragjike dhe mijërat e emigrantëve gjenden nëpër rrugët e ishullit, të pambrojtur nga kushtet e motit dhe të ekspozuar ndaj reshjeve dhe të ftohtit të natyrës.

Autoritetet lokale kërkuan ndihmë me ushqime dhe batanije, por deri më tani asgjë nuk është bërë.

Situata është gati të shpërthejë në një kryengritje masive prej mijëra emigrantëve që gjenden në ishull, të cilët tentojnë të ikin me çdo mënyrë, përpara mbylljes së paralajmëruar të kufijve prej vendeve perëndimore.

/ Top Channel