Tiranë, të larguarit nga puna fillojnë grevën, policia u heq çadrën

Të larguarit nga administrata kanë filluar rreth orës 16:00 të ditës së mërkurë grevën e paralajmëruar të urisë. Edhe pse policia i ka penguar të ngrenë çadrën, ku do të qëndrojnë grevistët, 10 të larguar nga puna kanë hyrë në grevë. 

Lajme

21/05/2014 20:01

Fillimisht të larguarve nga administrata u është thënë që kërkesa për grevë nuk është e plotë. Më pas u është kërkuar të marrin leje nga bashkia. Pasi kryesia e të larguarve nga administrata ka marrë lejen për zhvillimin e grevës, është lejuar ngritja e çadrës në lulishten pranë Kryeministrisë, njofton Balkanweb.

Por vetëm pak minuta më vonë policia ka marrë një urdhër të dytë dhe u ka kërkuar grevistëve të largohen vetë, në të kundërt do të hiqen me dhunë. Policia ka hequr çadrën e ngritur nga 10 grevistët dhe i ka marrë dokumentet shoferit të furgonit që kishte sjellë tendën.

Ndërkohë, kryetarja e Shoqatës së të larguarve, Nertila Qafzezi e ka cilësuar grevën të filluar dhe ka deklaruar se do të vazhdohet me apo pa çadër. Grevistët kanë marrë me vete vetëm disa batanije dhe jastëk dhe kanë vendosur të vazhdojnë grevën.

Sipas Qafzezit, greva erdhi si pasojë e moszgjidhjes së kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. Të shkarkuarit nga puna kërkojë të rikthehen në detyrë, me pretendimin se janë larguar padrejtësisht. Më herët ata kanë zhvilluar protesta edhe para Kuvendit.

Kjo shoqatë kërkon kthimin në punë të 6,000 punonjësve të administratës, të cilët, sipas tyre janë shkarkuar në mënyrë antiligjore nga puna.