Tiranë, 21 të arrestuar për vjedhjen e energjisë

Në ditën e parë të operacionit mbarëkombëtar ndaj atyre që vjedhin energjinë elektrike, numri një i policisë së Tiranës, Ardian Çipa, së bashku me kreun e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka deklaruar se janë arrestuar 21 persona. 

Lajme

28/10/2014 20:56

Çipa tha se operacioni u shtri në disa zona të kryeqytetit, të evidentuara më parë si zona problematike në drejtim të abuzimit me energjinë elektrike. “Grupet hetimore të ngritura për këtë qëllim, duke koordinuar punën me punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, mundësuan arrestimin e 21 personave, të cilët u kapën në kushtet e flagrancës me lidhje të dyta apo duke vjedhur energji. Në prangat e policisë ka rënë edhe një punonjës i OSHE-së, me detyrë faturist”, tha ai.

Kreu i OSHEE-së Arben Seferi dha edhe disa detaje të tjera.

“Sot kemi vepruar në bazë të planit dhe zonave që kishim planifikuar dhe kjo ka rezultuar në kapjen në flagrancë të 21 bizneseve. Nuk jemi marrë me qytetarët, me familjarët, por jemi marrë me vjedhësit e energjisë elektrike që përdorin energjinë për qëllime fitimi”, deklaroi Seferi.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se në këtë fazë të parë operacioni do të përqendrohet vetëm te bizneset, ndërsa më pas edhe te konsumatorët familjarë.

“Qytetarët që janë borxhli do t’ju ndërpritet energjia dhe ata që do të tentojnë ta rilidhin energjinë pa autorizimin e korporatës do të kryejnë edhe ata një krim, sepse është një ndërhyrje e paligjshme në rrjet. Në momentin që vjen autoriteti i Kompanisë dhe ndërpret energjinë elektrike, kushdo që e rilidh atë do të përballet me forcën e ligjit”, tha Gjiknuri.

Qeveria thotë se për shkak të humbjeve të energjisë elektrike që vijnë si pasojë e vjedhjes së energjisë, financat publike humbasin çdo vit rreth 150 milionë euro.