“Tirana International Film Festival”, mbi 200 filma shqiptarë dhe të huaj për publikun

Ka nisur edicioni i 17-të i “Tirana International Film Festival”. Këtë vit në TIFF marrin pjesë 204 filma shqiptarë dhe të huaj. Prej tyre 96 janë në konkurrim në festivalin, që do të zhvillohet në kinema ‘Millenniu’, ‘Agimi’ dhe në COD.

ShowBiz

25/09/2019 12:34

TIFF 2019 zhvillohet nga data 23 shtator deri më datë 29 të këtij muaji, ku në natën e fundit do zhvillohet dhe ceremonia e çmimeve.

Tirana International Film Festival/Oscar Qualifying këtë edicion është një rast mjaft i mirë ku publiku ka mundësi të ndjekin filmat e fundit të Pedro Almodovar, Yorgos Lanthimos, RetrospecTIFF nga Ali Asgari dhe Farnoosh Samadi, të dy anëtare të Akademisë së Artit e Shkencës SHBA, Oscar Nominated Short Films 2019, EFA Nominated Short Films 2018, etj.

“Tirana International Film Festival” ( TIFF) është eventi më i rëndësishëm kinematografik që zhvillohet në Shqipëri jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, aftësinë selektive të filmave, programit të pasur, zbulimeve interesante dhe premierave të filmave më të rëndësishëm në tregun kinematografik sot në botë.

Për këto arsye “Tirana International Film Festival”, pas aplikimit, u kualifikua si festival nga Academy of Art and Sciences USA me të drejtën që fituesi i Best Short Live Action/Animation të renditet në listën nga ku do të dalin fituesit e “Oscar” për këto kategori.

Ky vlerësim e rendit TIFF midis 94 festivaleve më prestigjioze të planetit si Cannes, Berlin, Locarno, Sundance, Tribeca, etj./atsh