Të Infektuar: 1110

Të Shëruar: 843

Të Vdekur: 30

Tirana dhe Prishtina zyrtare: edhe pse në fatkeqësi, të ndarë

16:39 | 13 Prill 2020

Shkruan: Adri Nurellari 

E turpshme që qeveria e Prishtinës dhe ajo e Tiranës nuk kanë asnjë formë bashkëpunimi në luftën kundër koronavirusit.

Ka kaluar më shumë se një muaj që kur pandemia ka prekur trojet shqiptare dhe është e turpshme që s’ka pasur qoftë edhe një iniciativë të vetme bashkëpunimi mes qeverisë në detyrë të Kurtit dhe qeverisë së Ramës.

Ky fakt është veçanërisht i pabesueshëm kur sheh se Vetëvendosja, partia e cila është ndërtuar e forcuar duke iu rënë çifteliave të bashkimit kombëtar e sharë të tjerët si tradhëtar apo inferior ndaj perëndimit, nuk ka bërë asnjë orvatje për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë gjatë kohës që jemi duk e u përballur armikun e përbashkët.

E njëjta gjë vlen edhe për qeverinë Rama që përtej retorikës se ndezur patriotike të viteve të fundit, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur fusha bashkëpunimi në këtë periudhë të rëndë.

Mes të tjerash, me sa duket të dy kryeministrat e shteteve shqiptare e kanë egon aq të sëmurë dhe hatërmbetjen ndaj njeri tjetrit aq të madhe sa të shkelin edhe mbi interesin kombëtar dhe solidaritetin mbarëshqiptar që do të duhej të lulëzonte tani.

Në këtë periudhë të pandemisë madje mund të thuhet se më shumë kanë menduar amerikanët, evropiano-perëndimorët dhe turqit për kombin shqiptar, duke ofruar ndihma emergjente, sesa shqiptarët për njëri tjetrin.

Hera e fundit që ka ndodhur diçka mes dy shteteve ka qenë vendimi i qeverisë Kurti për t’i akorduar dhuaruar 200 mijë euro për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve për tërmetin ndërkohë që Serbia dhuroi 2 milionë.

Aktualisht kufiri i Kosovës është i mbyllur me Shqipërinë, por i hapur në veri me Serbinë.

Strukturat paralele dhe stafet mjekësore të komanduara prej Beogradit që kanë hyrë e po operojnë me lejen e qeverisë Kurti, lëvizin lirshëm hyrje-dalje me Serbinë.

Pacientët që janë shtetas kosovarë me përkatësi serbe po shkojnë rregullisht për t’u trajtuar në Nish apo Beogradi.

Madje Vuçiqi foli se kishte edhe pacientë shqiptarë të kosovës që po trajtoheshin në spitalet e Serbisë.

Nga ana tjetër Shqipëria ka dërguar një ekip shëndetësor në Itali (gjë që meriton të duartrokitet) por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim përkundrejt Kosovës.

Aq më pak nuk është ndërmarrë asnjë lloj ndihme nga Tirana apo Prishtina për shqiptarët që janë pakicë e diskriminuar në Luginën e Preshevës apo ata që jetojnë në rajone të ndryshme brenda Malit të Zi.

Mundësitë e bashkëpunimit edhe në kushtet e kësaj sfide të përbashkët janë shumë. Nëse hyjën e diskutojnë me siguri dy qeveritë do gjejne hapësira e mundësi ndërhyrje për të kompensuar njeri-tjetrin aty ku kanë avantazhe të krahasuar.

Ta zëmë për shembull Shqipëria ka një industri tekstili goxha të zhvilluar në kuadër të fasonëve, që mund të porositeshin për të ndryshuar destinacionin në mënyrë që të prodhojnë masivisht maska e doreza për të dy shtetet.

Nga ana tjetër Kosova ka treguar se ka njësi të FSK-së goxha efikase me përvojë e ekspertizë në emergjenca civile që mund të ndihmojnë në masat e karantinimit edhe në Shqipëri.

READ Basha: Prokuroria po heton Dakon për bashkëpunim me banda e blerje votash
Po ashtu në kushtet e kësaj emergjence, dy shtetet mund të angazhohen që në partneritet me kompanitë farmaceutike si Profarma, Trapharm, të planifikojnë për të kërkuar prodhim të posaçëm të medikamenteve e produkteve të konsumueshme që kërkohet më së shumti në këtë periudhë.

Një ndër rekomandimet kryesore që vjen nga OBSH-ja për të luftuar koronavirusin është tëstimi sa më masiv dhe i shpeshtë.

Të dy shtetet shqiptare shqiptare renditen në fund të rajonit dhe Evropës për sa i përket numrit të testeve që janë bërë për frymë dhe kanë nevojë imediate që t’i shtojnë.

Sot është e vështirë që të blihen teste të shpejtë të avancuar nëpër tregjet botërore por po qe se kërkesa vjen më e madhe e rakorduar mes të dy shteteve, atëhere do të jetë më e lehtë që të sigurohet importi.

Po ashtu duhet theksuar se humë shtete tashmë kanë filluar të prodhojnë teste për të identifikuar COVID-19 për të mos krijuar varësi nga importi.

Prandaj mund të ishte me leverdi që Kosova e Shqipëria të bashkojnë burimet kapitale, njerëzore e infrastrukturore që të ndërtohet një laborator i përbashkët për të të prodhuar teste. Mund të mendohet edhe për ndonjë spital të përbashkët fushor ndërkufitar midis Kukësit e Prizrenit.

E njëjta gjë vlen edhe për respiratorët, të cilët konsiderohen vendimtarë për mbijetesën e pacientëve që kanë imunitet të dobët apo problemet të tjera shëndetësore.

Të dy shtetet shqiptare kanë një numër të vogël respiratorësh krahasuar me vendet e tjera e mund të kenë leverdi që të investojnë për t’i prodhojnë vetë për të përmbushur nevojat imediate.

Konkretisht një kompani e quajtur Formon është duke u prodhuar me sukses një prototip respiratori të quajtur VentCore duke përdorur printera 3D.

Nuk do të ishte ide e keqe që në kushtet aktuale të dy shtetet të përfshiheshin si bashkëinvestuese në prodhimin në seri të këtij aparati nëse testohet i suksesshëm.

Prandaj më së paku ajo që duhet të ndodhi në këtë periudhë pa humbur kohë është ndërtimi i urave të komunikimit dhe bisedimeve konkrete mes ministrit të shëndetësisë në detyrë Vitia dhe ministres Manastirliu.

Mund të ndërtohet një ekip i përbashkët i emergjencës me ekspertë për të gjetur mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin në bazë të mundësive dhe nevojave të ndërsjellta.

Po ashtu është e sigurtë që të dy vendet do të dëmtohen rëndë edhe ekonomikisht, prandaj do duhej që të shqyrtoheshin bashkë edhe mënyrat e rimëkëmbjes së ekonomisë.

Për me tepër do duhej që të dy qeveritë ta merrni me seriozitet përgjegjësinë që kanë përpara kombit, dhe të bashkëfinancojnë ndihma për shqiptarët e ngelur jashtë këtyre dy shteteve.