Tirana dha leje për heqjen e simboleve

Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi kishte rënë dakord që të hiqen simbolet nacionale nga Abetarja dhe nga fletorja e punës, të dy këto tekste në gjuhën shqipe.

Lajme

30/11/2013 17:05

Tirana zyrtare kishte dhënë leje për largimin e simboleve kombëtare nga librat në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptar në Luginë të Preshevës.

Kështu raporton Shqiptarja.com, e cila si dëshmi ofron edhe një dokument të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd.

Sipas këtij dokumenti, Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi kishte rënë dakord që të hiqen simbolet nacionale nga Abetarja dhe nga fletorja e punës, të dy këto tekste në gjuhën shqipe.

Dokument mban datën e 3 prillit të vitit 2011 dhe është i nënshkruar nga Ambasadori Çaushi, ndërsa i drejtohet Këshillit Nacional të Pakicës Shqiptare në Luginën e Preshevës. Ky dokument po ashtu ka shkuar në adresë të Milan Markovic, Ministër për të Drejtat e Pakicave në Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale dhe tek Shefi i atëhershëm i OSBE’së në Beograd, Dimitrios Kyprios.

Ky dokumenti u bë publik në studion e A1 Report nga Galip Beqirin, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe nga Sulejman Abazi.

“Kemi nderin të ju lajmërojmë se organet kompetente shqiptare janë dakord me vërejtjet e shprehura se Abetarja dhe Fletorja e Punës do reprodukohen (modifikohen), duke mënjanuar simbolet nacionale-shtetërore”-thuhet në këtë dokument që disponon A1 Report.

Gjatë bisedës në studio, Abazi tha se pikërisht ky vendim për të cilin ka dhënë pëlqimin edhe Tirana zyrtare përmes ambasadorit Çaushi, i jep mundësinë Beogradit të ndalojë hyrjen e teksteve shqipe në Luginë.

Në fillim të tetorit të këtij viti 6 mijë tekste shkollore në gjuhën shqip u bllokuan nga autoritetet serbe në fshatin Raincë të Preshevës, çka nxiti edhe reagimin e banorëve të Luginës.

Mirëpo, i ftuar në studion e A1 Report, Galip Beqiri i cili rezulton se ka qënë pikërisht ai që ka pranuar këtë vendim të qeverisë së Serbisë, e pranoi ekzistencën e dokumentit por duke thënë se bëhet fjalë për modifikim të simboleve kombëtare dhe jo heqjen e tyre.

Në tetor të vitit 2011, mediat në Luginën e Preshevës raportuan lajmin se ambasadori i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, kishte dhënë pëlqimin që “Abeterja dhe fletorja punuese të modifikoheshin, duke larguar simbolet kombëtare çka ngjalli protesta nga shqiptarët në Luginë.

Por dokumenti që e vërteton këtë publikohet për herë të parë nga A1 Report dhe tregon se Tirana zyrtare jo vetëm ka qënë në dijeni por dhe ka pranuar ashtu si disa prej liderëve lokal në Preshevë për të mos lejuar përdorimin e simboleve kombëtare nga shqiptarët atje.