Tillerson përsërit mbështetjen e SHBA-së për NATO-n
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka përsëritur mbështetjen e Uashingtonit për aleancën e NATO-s, një ditë pasi presidenti, Donald Trump i tha Kongresit amerikan se aleatët e NATO-s “kanë filluar” të përmbushin detyrimet e tyre financiare për shpenzimet ushtarake.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2017/03/640755B5-6765-4A5B-B6B6-9660F67BE951_w1023_r1_s.jpg)
Bota
Në deklaratë e 1 marsit, Tillerson tha se administrata e Trumpit do të vazhdojë “mbështetjen e politikave dhe institucioneve që i mbajnë të sigurtë amerikanët, përfshirë një NATO të fortë, ku aleatët përmbushin përgjegjësitë e tyre”.
Sekretari Tillerson tha se Uashingtoni “do të punojë me aleatët për t’iu kundërvënë kombeve që kërcënojnë fqinjtë e tyre apo destabilizojnë rajonet e tyre”.
Ai tha se “politika e jashtme amerikane duhet të promovojë vlerat tona themelore të paqes, demokracisë dhe stabilitetit”.
Gjatë fjalimit të tij para Kongresit amerikan, Trump ka thënë se “Ne presim që partnerët tanë- qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme apo Paqësor, të kenë rol të rëndësishëm në operacionet strategjike dhe ushtarake, dhe të përmbushin obligimet e tyre financiare”.