Tifozi i veçantë çek i Kosovës – Martin Sneberk mban album me fotografitë e lojtarëve ‘Dardanë’

Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar simpati të madha gjithandej botës pas paraqitjeve superiore në futboll.

Sport

14/11/2019 15:46

Kosova dhe Çekia do të luajnë sot (e enjte) në mbrëmje përballjen e madhe të tyre për eliminatoret e Grupit A për Euro 2020.

Shumë tifozë nga Kosova, por edhe shqiptarë që jetojnë në vendet evropiane kanë udhëtuar drejt Plzenit për të përkrahur ekipin Dardanë.

Megjithatë, përveç shqiptarëve, ekipi i drejtuar nga Bernard Challandes ka fituar simpati edhe nga qytetarë evropianë.

I tillë është edhe i riu çek, Martin Sneberk, i cili pëlqen jashtë mase ekipin përfaqësues të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Ekipi i Telegrafit është takuar me të gjatë ditës së sotme dhe Sneberk ka treguar se ka simpati për Dardanët dhe mban një album me fotografitë e futbollistëve të Kosovës.

Ai gjatë ditës ka qëndruar afër hotelit ku qëndron ekipi i Kosovës duke mbledhur autografe nga futbollistët tanë

Shumica e lojtarëve ia kanë plotësuar dëshirën të riut çek duke nënshkruar në albumin dhe vendin ku kërkonte autografe, ndërsa vetëm pesë nga ta kanë mbetur pa nënshkruar.

Bersant Celina, Edon Zhegrova dhe Valon Berisha janë lojtarët e vetëm që nuk kanë dhënë ende autograf për Sneberk, ndërsa mungojnë edhe nënshkrimet e lojtarëve të lënduar: Bernard Berisha dhe Vedat Muriqi. /Telegrafi/