Tifozët e Milanit refuzojnë fanellën e Donnarummas

Një javë për t’u harruar për Gigio Donnarummën, me portierin që e gjen veten në mesin e një stuhie që lëkund pozitat e tij.

Sport

14/05/2018 21:14

Pas gabimit të dyfishtë të mërkurën përballë Juventusit, në finalen e Kupës së Italisë, portieri 19-vjeçar nuk arriti dot të ruante të paprekur portën e tij edhe në takimin me Atalantën që barazoi në minutat shtesë.

Kjo ka sjellë një irritim të tifozërisë, të cilët u panë të prisnin fanellat e Bonuccit, Romagnolit dhe Abates, por refuzuan hapur atë të Donnarummës.

“Jo! Fanellën tendë nuk e duam”, u dëgjuan të reagonin tifozët e kuqezinjve.

Aspak e lehtë një situatë e tillë, aq më shumë për një të ri 19-vjeçar, pamja e të cilit pas këtij episodi, ngjasonte me atë të një gjiganti të plagosur. Gabimet ndodhin, ato janë njerëzore, por në rastin e Donnarummës ka diçka më shumë.

Janë në lojë ato 6 milionë euro të angazhimit, të cilat peshojnë shumë, edhe pse të merituara nga portieri. Pas çështjes financiare është edhe ajo e një menaxheri si Raiola. Mesa duket populli kuqezi nuk e ka të lehtë të ngjitë atë që është thyer. Me Gattuson që e mbron dhe Mirabellin që ka tentuar ta blindojë, e ardhmja e Donnarummës në Milano nuk ka qenë kurrë kaq e lëkundur.