Thirrja “e fuqishme” e Nexhat Dacit

Në përvjetorin e themelimit të LDD’së, Nexhat Daci u bëri thirrje partive opozitare të bashkohen “për t’ia shkurtuar jetën Qeverisë aktuale”. Sipas tij, edhe LDD edhe shteti i Kosovës “kanë lindur me prerje cezariane”.

Lajme

15/02/2014 14:05

Lidhja Demokratike e Dardanisë me një ceremoni ka shënuar 7 vjetorin e themelimit të saj, në të cilën lideri i këtij subjekti politik, Nexhat Daci, u ka bërë thirrje partive opozitare që të unifikohen për t’ia shkurtuar jetën qeverisë aktuale.

Në një fjalë rasti, kryetari i LDD’së, Nexhat Daci tha se shteti i Kosovës dhe LDD’ja kanë dy të përbashkëta, pasi të dyja kanë lindur me prerje cezariane, raporton Klan Kosova.

Ai tha se LDD u përjashtua nga institucionet, nga koncepti i shtet ndërtimit dhe nga vjedhja industriale e votave.

Daci u ka bërë thirrje partive opozitare që të unifikohen për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie, e cila sipas tij, ka dështuar në sektorët kyç, si: në arsim, shëndetësi, ekonomi e të tjera.

Ai tha se ky vit duhet të jetë vit i qeverisjes së vitit 2004 me një kryeministër energjik që ishte vlerësuar lart puna e tij.

Një fjalë përshëndetës në këtë tubim e ka mbajtur edhe nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, i cili ka lexuar një telegram urimi të kreut të kësaj partie, Ramush Haradinaj.