Thirrja e ambasadorit amerikan: Çdo ndjekje penale dhe dënim të trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë

Në shënimin e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit në Kosovë u theksua rëndësia e angazhimit më të madh të institucioneve përgjegjëse në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.

Lajme

19/10/2020 13:55

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, u kanë bërë thirrje institucioneve që të trajtojnë viktimat me dinjitetin e njëjtë, ndërkohë që drejtësia të zbatohet njësoj për të gjithë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij tha se puna e institucioneve në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të viktimave të krimit duhet të jetë e përditshme.

“Përkushtimi ynë për mbrojtjen dhe avancimi ne të drejtave të viktimave duhet të jetë i përditshëm. Të gjithë së bashku kemi obligim që Kosovën ta bëjmë shtet të barabartë për të gjithë qytetarët duke u garantuar atyre të drejtat, lirinë dhe barazinë para ligjit. Si president i vendit i ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse që në përputhje me obligimet kushtetuese e ligjore të sigurojmë që viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet dhe profesionalizëm. Ngritja e vetëdijes për të drejtat e viktimave e forcon sundimi ne ligjit dhe shtetin tonë”, tha Thaçi.

E Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett tha se respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri, veçanërisht kur trajtohen të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit.

“Shpesh jam i zhgënjyer kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës. Disa kryes të veprave mbahen në burg e disa të tjerë lirohen. Disa viktima marrin ndihmë e të tjerët lihen të kujdesën vetë për vete. Disa të pandehur akuzohen për shkelje të rëndë, kurse të tjerët që kanë kryer veprën e njëjtë përballen me akuzë shumë te lehtë, disa përballen me dënime të rënda kurse të tjerët paguajnë gjobë të papërfillshme. E kuptoj që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në këto raste i dëmton proceset dhe sukseset tuaja. Rrjedhimisht e dëmton besimin e qytetarëve në qeveri. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të punoni për të siguruar që çdo viktimë, çdo rrethanë, çdo ndjekje penale dhe çdo dënim të trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë”, tha ai.

Ai bëri thirrje që drejtësia të zbatohet njëtrajtshëm për të gjithë.

E kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në trajtimin e viktimave të krimit dhe avancimin e legjislacionit bashkëkohor duke u bërë vendi i parë në rajon në mbrojtjen e viktimave.

Ai tha se gjatë këtij viti janë bërë 36 kërkesa në Ministri të Drejtësisë, për kompensim të dëmit të viktimave dhe gjashtë prej tyre tashmë kanë aprovuar ndërsa të tjerat janë ende në shqyrtim.

“Gjatë periudhës nëntë mujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1277 raste të viktimave, prej tyre 1145 kanë qenë viktima të dhunës në familje. Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 23 raste, si dhe 25 raste të tjera të ngacmimeve seksuale… Mirëpo edhe përkundër faktit se vendi ynë ka bërë përparime të duhura për trajtimin e viktimave të krimit, megjithatë, akoma duhet bërë edhe më shumë në mënyrë që këto raste të marrin vëmendjen e duhur nga sistemi i drejtësisë. Krahas obligimit ligjor, mbrojtja e viktimave të krimit përbën edhe angazhimin më fisnik të punës së përditshme të institucioneve të drejtësisë, për çka duhet të jemi të gjithë më përgjegjës dhe proaktivë në punën tone”, tha Lumezi.

Ai tha se sfidë e përbashkët është të kuptohet se nuk ka drejtësi nëse nuk arrihet drejtësia për viktimat e krimit dhe rehabilitimin e plotë të tyre.

Për ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi viktimat e krimit në Kosovë meritojnë një trajtim të veçantë.

“Ne tashmë e kemi legjislacionin në fuqi i cili i ofron viktimave të krimit ndihmë mjekësore, ndihmë psikologjike, për më shumë Ministria e Drejtësisë është duke punuar me ligjin e ri për mbrojtjen e viktimave në të cilin viktimat do të kenë trajtimin e duhur edhe pa aktgjykimi ne formës së prerë”, tha Selimi.

Sivjet, në përvjetorin e 11 të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, adresimi i krerëve të institucioneve u bë përmes video-mesazheve, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

“Mbrojtja e viktimave të krimit, misioni ynë edhe gjatë pandemisë”, është motoja e këtij viti.