Thirren qytetarët të denoncojnë informacionet rreth veprave penale

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se me vëmendje ka përcjellë disa prononcime dhe kërkesa drejtuar sistemit prokurorial, që janë paraqitur gjatë seancave të fundit plenare të Kuvendittë Republikës së Kosovës në lidhje me disa pretendime se janë kryer vepra të rënda penale nga individë të apostrofuar, pretendime këto që pohojnë se janë shkaktuar dëme qindra milionëshe ndaj buxhetit të vendit.

Lajme

01/06/2015 16:23

Andaj, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i inkurajon dhe i fton të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë njohuri për kryerjen e veprave konkrete penale. që t’i denoncojnë ato pranë organeve të ndjekjes, duke dorëzuar çdo informacion që ata mund të kenë rreth kryerjes së këtyre veprave.

“Denoncimi i krimit nuk është vetëm e drejtë, por edhe obligim qytetar e moral i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në disa raste të caktuara, (në pajtim me nenin 386 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës), çdo qytetar, pa përjashtuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, është i obliguar t’i paraqesë veprat penale, nëse ka njohuri për ekzistimin e tyre. Sipas këtij neni, dështimi për të bërë një gjë të tillë paraqet vepër penale në vete.

Njëkohësisht Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përkujton se përpos detyrimit moral e ligjor për të paraqitur veprat penale, është edhe neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që sanksionon veprën penale: ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’, vepër kjo e dënueshme sipas dispozitave aktuale në fuqi.

Për hir të sqarimit të opinionit të gjerë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sqaron se në disa raste palët mund t’i drejtohen drejtpërdrejtë gjykatës, apo gjithmonë kur në pyetje janë fyerjet apo shpifjet, aspekte këto në të cilat nuk mund të involvohet Prokurori i Shtetit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit të vet dhe siguron të gjithë qytetarët e vendit se Prokurori i Shtetit do të trajtojë në pajtim me dispozitat ligjore çdo informacion që do të çonte tek zbulimi i kryesve dhe veprave penale të kryera nga kushdo, pavarësisht petkut nën të cilin ata veprojnë dhe punojnë, pozitës apo statusit që gëzojnë, por njëkohësisht sigurojmë se Prokurori i Shtetit nuk është dhe as që do të jetë ndonjëherë në shërbim të asnjë agjende të asnjë subjekti politik”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit