Thiago Silva s’guxoi ta gjuante penalltinë
Thiago Silva tregon se kërkoi nga trajneri Scolari të mos e gjuante penalltinë ndaj Kilit, pasi kishte frikë. Madje, mbrojtësi brazilian kërkoi që të vendosej i fundit, pas portierit Julio Cesar, në listën e goditësve.

Sport
Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva ka treguar se ka kërkuar nga trajneri Luiz Felipe Scolari që të mos e gjuante penalltinë, në ndeshjen me Kilin, e cila ishte zhvilluar të shtunën në Belo Horizonte.
Vendi mikpritës u kualifikua në çerekfinale vetëm falë 11 metërshave, pasi loja e rregullt dhe ajo shtesë përfunduan baras, 1:1.
Dhe, futbollisti i Paris Saint Germainit thotë se kërkoi nga trajneri që të mos gjuante.
“Ta gjuash penalltinë është një përgjegjësi e madhe në shtëpi dhe kërkova nga Zoti të mos selektohesha për të gjuajtur”, deklaroi fillimisht ai.
“E kam humbur në dy nga tri rastet e fundit dhe Scolari kërkoi që unë të isha i gjashti. I thash jo, kërkova nga ai të isha i fundit në listë, prapa Julio Cesar”, tregon Silva.
Për fatin e tij të mirë, Brazili kreu punë më herët dhe nuk i erdhi rendi të gjuante.