Themelores në Prishtinë i shtohen edhe dy prokurorë, departamenti për të mitur në Gjakovë mbetet pa ta
Është mbajtur sot takimi i 270-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me ç’rast u miratua transferimi i dy prokurorëve nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Gjakovës për në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Por, kjo e la pa prokuror departamentin për të mitur në Gjakovë. “Komisioni bazuar në nenin 15, paragrafin 9 të rregullores ka parashikuar…

Lajme
Është mbajtur sot takimi i 270-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me ç’rast u miratua transferimi i dy prokurorëve nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Gjakovës për në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Por, kjo e la pa prokuror departamentin për të mitur në Gjakovë.
“Komisioni bazuar në nenin 15, paragrafin 9 të rregullores ka parashikuar që të raportojë në këtë këshill duke konstatuar se për dy vende kanë aplikuar vetëm dy prokurorë dhe se nuk ka pasur nevojë fare që të njëjtit të thirren në intervistë sepse kështu e ka paraparë edhe vetë rregullorja, andaj komisioni siç parashihet në nenin 10, paragrafit 2 të rregullores në rastin e vendosjes për transferim të përhershëm ka marrë parasysh edhe përvojën e punës, edhe vendbanimin e dy prokurorëve të cilët jetojnë në Prishtinë dhe janë të pranueshëm për tu transferuar”, tha kryesuesi i këshillit Ardian Hajdaraj.
Në këtë mbledhje u kërkua të shpallet konkurs për të mbushur vendin në departamentin e të miurve në Gjakovë.
“Vazhdojmë me pikën e pestë të rendit të ditës, ku në këtë pikë kemi kërkesën e paraqitur nga kryeprokurori i prokurorisë themelore në Gjakovë, Z. Enis Gashi, për shpalljen e konkursit të brendshëm për avancimin e dy prokurorëve në departamentin për të mitur në kuadër të kësaj prokurorie, i cili departament në vazhdimësi ka funksionuar vetëm me një prokuror, tani edhe ai prokuror u morr vesh se u transferua në Prishtinë dhe ky departament tashmë ka mbetur pa asnjë prokuror”, tha ai.
Ndërsa Prokuroria e Apelit parashtroi kërkesën për themelimin e një departamenti special, për cka u tha se pa u ndryshuar ligji nuk mund të bëhet asgjë.
Në anën tjetër, kryesuesi i këshillit Ardian Hajdaraj, sugjeroi se në pamundësi të krijimit të një departamenti, këshilli mund të krijojë një njësit special për të ndihmuar Prokurorinë e Apelit për lëndët speciale, kërkesë e cila nuk u miratua.
“Ne kemi themeluar përpara njësit në këtë vend, çfarë pengese është?”
Por sipas vendimit të këshillit, u autorizua Kryeprokurori i Shtetit për të zgjedhur tre prokurorë, për t’u marrë me lëndët speciale.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është institucioni kryesor që mbikëqyr, menaxhon dhe zhvillon sistemin prokurorial në Republikën e Kosovës./kp