Thellohet kriza e energjisë në Europë: Disa vende i kthehen qymyrit

Kriza e energjisë në Europë dhe në Kinë nuk po shfaq shenja të lehtësimit. Liderët e Bashkimit Europian do të vendosin tavan mbi çmimet dhe do të ofrojnë subvencione, ndërsa Kina ka rritur prodhimin e qymyrit në vend. 

Bota

17/10/2021 16:23

Kriza e energjisë në Kinë është thelluar edhe më tej gjatë fundjavës, me çmimet e qymyrit që prekën një nivel të ri rekord, në një kohë që i ftohti ka prekur vendin. Edhe rritja e çmimeve të gazit ka detyruar kompanitë më të mëdha të energjisë të kërkojnë kontrata afatgjata me furnizuesit në Shtetet e Bashkuara. Siguria energjetike është ngjitur në krye të axhendës së qeverive në Azi dhe Europë, pasi mungesa e qymyrit dhe rritja drastike e çmimeve të energjisë po shkaktojnë mungesë të energjisë, duke mbyllur fabrikat që furnizojnë firmat më të mëdha në botë, si Apple.

Për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve të energjisë, ndërkohë që dimri po afron, liderët e Bashkimit Europian po marrin masa emergjente duke përfshirë vendosjen e tavanit mbi çmimet dhe subvendcione, të cilat do të prezantohen në samitin e javës së ardhshme. Kina, që është importuesja më e madhe në botë e energjisë, është goditur fort nga kjo krizë dhe kompanitë më të mëdha si Sinopec dhe Kompania Shtetërore e Naftës janë në bisedime me eksportuesit amerikanë për të nënshkruar kontrata afatgjata për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror.

Diskutimet mund të çojnë në marrëveshje me vlerë dhjetra miliarda dollarë për vitet në vijim. Për shkak të mungesës së energjisë, Kina dhe shumë vende të tjera u rikthyen te qymyri në terma afatshkurtër, por kjo u cilësua si një goditje ndaj planeve kundër ngrohjes globale. Pekini zyrtar ka marrë disa masa emergjente për të parandaluar rritjen e çmimeve, duke përfshirë rritjen e prodhimit të qymyrit në vend dhe uljen e furnizimit për industritë që konsumojnë shumë energji./SCAN TV