Thelbi i stabilizimit të Ballkanit

Mbiemri i normalizimit të marrëdhënie në mes të Kosovës dhe Serbisë, është njohja reciproke e këtyre dy shteteve. Sa më parë që bëhet ky hap, aq më i shkurtër do të jetë rrugëtimi për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimorë.

Opinion

14/08/2015 09:40

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po arrin që për javë të tëra të mbajë në duart e tij nismat e ndryshme politike dhe diplomatike, të cilat në parim i shkojnë përshtati synimeve afatmesme të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së për të stabilizuar një herë e mirë Ballkanin Perëndimorë, së paku sa i përket relacioneve midis shteteve që e bëjnë këtë anë të Evropës. Kërcënimet që vijnë jashtë Ballkanit  (ISIS, ndikimi i Federatës së Rusisë), kanë, natyrisht, karakter tjetër.

Brukseli dhe Washingtoni i kanë duart plotë telashe, në Ukrainë, me Greqinë, me ISIS-in, dhe nuk duan assesi të merren ndryshe me Ballkanin Perëndimor, pos si me një rrëfim historik që ka marrë trajtën e një përmbylljeje të suksesshme.

Këtë e di mirë Kryeministri i Serbisë, i cili dëshiron që veten, por edhe Serbinë ta kthejë në një pozitë të humbur prej zhbërjes së Jugosllavisë e tutje.

Vuçiq po i flet gjërat që janë të këndshme, si thuhet, për veshët e diplomatëve perëndimorë. Porosia e fundit e këtij lloji kishte të bënte me idenë e tij për një Ditë të përbashkët përkujtimi për viktimat e luftërave në ish-RSFJ. Propozimi i tij, dhe këtë me siguri e ka ditë Vuçiq që në çastin kur e ka bërë atë, u kthye mbrapsht prej kroatëve, shqiptarëve, boshnjakëve, të cilët pohuan që nuk mund të ketë amnesti dhe as amnezi për tragjeditë që ndodhën në vitet e nëntëdhjeta, të cilat, si shtytës të vetin të parë dhe vendimtarë, kishin politikën e Beogradit zyrtar.

Vuçiq u përqendrua në formë dhe në percepcion, të cilat gjithmonë në politikë janë më të shpejta, më të dukshme, më të kapshme se sa substanca dhe përmbajtja e mirëfilltë, për të cilat duhet më shumë kohë, më shumë interesim, më shumë përqendrim.

Pa marrë parasysh kush është në ballë të Serbisë, apo, edhe të shteteve të tjera që janë prodhim i luftërave në ish-RSFJ, edhe poqëse do të ketë njëmend synim fare të sinqertë për të bërë gjeste apo veprime largvajtëse për të paketuar (gjithqysh) këtë anë të Evropës, është tej çdo imagjinate të besohet që do të ketë ndonjëherë pajtim a dakordim se çka ka ndodhë në të vërtetë në të kaluarën e këtyre anëve. Çfarë mund të arrihet, në këtë aspekt, është që e tashmja dhe e ardhmja e këtyre shteteve dhe popujve të ecë në drejtimin që pasojat e tragjedisë së viteve të nëntëdhjeta, të mbeten lëndë të historisë dhe të përkujtimeve, e jo burim i problemeve të vazhdueshme politike.

Pra, çka do të mund të bëhej është që edhe ne, në këto anë të Evropës, të ecim shtigjeve të shteteve më të mëdha të Evropës  (Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe), pas kasaphanës së Luftës së Dytë Botërore.

Nëse kjo do të duhej të ishte pikarritja, atëherë, nga pikëshikimi i sotëm, del që jemi larg mbërritjes në atë stad, sepse punët ende nuk janë kryer si duhet, as në relacionet Kosovë – Serbi, as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Maqedoni. E në këto temat e mëdha politike, prej të të cilave varet stabiliteti afatgjatë i Ballkanit Perëndimorë, edhe nëse, thënë figurativisht, gota është e mbushur mbi 90% me ujë, prapakthimi i madh është ende i mundur nëse nuk ndodhë mbushja e plotë, e qind për qindtë, me ujin që këtu ka domethënien e mbylljes të temave të mëdha politike.

Secili, si thuhet, para se të gjithash e ka prioritet gajlen e vet. Por, duket që boshti i përmbylljes së ‘punimeve’ në këto anë të Ballkanit, ka të bëjë me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tash e sa vjet, në këtë aspekt, gjendemi në fazën kur adresohet a trajtohet si problem relacioni midis Kosovës dhe Serbisë, dhe kur, për më shumë, flitet, edhe në instancat më të larta ndërkombëtare, për domosdoshmërinë e normalizimit të këtyre marrëdhënieve. Por, gjithnjë e më shumë po kuptohet, (dhe kjo bindje vetëm sa do të fuqizohet në periudhën e ardhshme), që emri dhe mbiemri i normalizimit të marrëdhënie në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja reciproke e këtyre dy shteteve. Sa më parë që bëhet ky hap i domosdoshëm, aq më i shkurtër do të jetë rrugëtimi për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimorë. Dhe anasjelltas.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)